Tensione në kufi, trupat e Koresë së Jugut qëllojnë me armë paralajmëruese drejt trupave të Koresë së Veriut

Koreja e Veriut ka akuzuar forcat e Koresë së Jugut se kanë qëlluar me armë paralajmëruese ndaj ushtarëve të saj që ishin pjesë e një projekti përforcimi kufitar, duke e paralajmëruar Seulin se veprimet e saj rrezikojnë të rrisin tensionet në nivele “të pakontrollueshme”.

Në një raport të botuar të shtunën, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve e Phenianit (KCNA) citoi Zëvendës Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut, Ko Jong Chol, të ketë thënë se Jugu duhet të ndalojë provokimin e tij “të paramenduar dhe të qëllimshëm”, të cilin ai e përshkroi si “nxitje të konfliktit ushtarak”.

Duke e quajtur incidentin e fillimit të kësaj jave një “provokim serioz”, Ko tha se ushtria e Koresë së Jugut qëlloi më shumë se 10 të shtëna paralajmëruese drejt trupave të Koresë së Veriut, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ky është një prelud shumë serioz që në mënyrë të pashmangshme do ta çonte situatën në zonën kufitare jugore, ku një numër i madh forcash janë të stacionuara, në përballje me njëra-tjetrën, në një fazë të pakontrollueshme”, citohet të ketë thënë Ko.

Incidenti ndodhi të martën, ndërsa ushtarët e Koresë së Veriut po punonin për të mbyllur përgjithmonë kufirin e fortifikuar rëndë që ndan gadishullin, tha media shtetërore KCNA, duke cituar një deklaratë nga Ko.

Në anën tjetër, në një deklaratë të shtunën, ushtria e Koresë së Jugut pranoi se ushtarët e saj kishin qëlluar me të shtëna paralajmëruese pasi pretendoi se trupat e Koresë së Veriut kaluan shkurtimisht kufirin.

“Disa ushtarë të Koresë së Veriut që vepronin pranë Vijës së Demarkacionit Ushtarak (MDL) brenda DMZ-së qendrore të frontit [Zonës së Demilitarizuar] kaluan MDL-në, duke bërë që ushtria jonë të qëllonte me të shtëna paralajmëruese”, thanë Shefat e Shtabit të Përbashkët të Seulit në një deklaratë, duke iu referuar kufirit de facto.

“Ushtarët e Koresë së Veriut më pas u zhvendosën në veri të MDL-së”, shtoi deklarata.