Tension te Barcelona: Hansi Flick e konfirmon se Robert Lewandowski nuk është i kënaqur

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka zbuluar se Robert Lewandowski i ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij lidhur me rolin që ka këtë sezon në skuadër.

Sulmuesi polak, i cili ndodhet në gjashtë muajt e fundit të kontratës me klubin katalanas, ka nisur vetëm tetë ndeshje në La Liga këtë edicion, me Flick që shpesh ka preferuar Ferran Torresin si qendërsulmues, për shkak të fleksibilitetit dhe formës së mirë.

“Kemi folur për situatën e tij, sezoni ende nuk ka përfunduar, ai duhet të qëndrojë i fokusuar dhe ta shijojë atë”.

“E di që dëshiron më shumë minuta, por ai po bën gjërat siç duhet dhe shpresoj ta shijojë situatën aktuale dhe klubin. Tani nuk është momenti për të folur për këtë dhe të gjithë e dimë situatën e klubit, por unë jam i qetë sepse po punojmë mirë”, ka deklaruar Flick.

Aftësia e Lewandowskit për të shënuar gola nuk vihet në dyshim. Edhe pse ka përfunduar shpesh në rolin e rezervistit, veterani ka realizuar 12 gola në 27 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar mesatarisht një gol çdo 117.8 minuta. Nga ana tjetër, Ferran Torres shënon mesatarisht çdo 107.8 minuta.

Shqetësimet kryesore lidhen me aspektin fizik dhe qëndrueshmërinë e Lewandowskit. Edhe pse ai është në formë shumë të mirë për moshën e tij, nuk arrin më të krahasohet plotësisht me lojtarë më të rinj si Ferran. Pikërisht për këtë arsye, Flick ka zgjedhur shpesh alternativa të tjera këtë sezon.

Sipas ESPN, Barcelona është e hapur t’i ofrojë polakut një zgjatje njëvjeçare të kontratës, por vetëm nëse ai pranon uljen e pagës dhe një rol rotacioni, e jo më statusin e titullarit të padiskutueshëm.