Televizioni serb në Tiranë, një histori e dyshimtë që shkon te njerëzit e Vuçiqit e pushteti i Millosheviqit

Vetëm dy muaj pas regjistrimit në Tiranë, kompania televizive serbe, “Arena News Channel Two Albania”, ka 25-fishuar kapitalin e saj fillestar, nga mbi 5 mijë euro në afro 130 mijë euro.

“Arena” shqiptare është në pronësi të kompanisë mëmë, me thuajse të njëjtin emër, “Arena News Channel Two DOO Beograd” të regjistruar në kryeqytetin serb dhe në pronësi fundore të shoqërisë publike, “Telekom Serbia”.

“Arena” u regjistrua për herë të parë në Shqipëri në 25 nëntor 2025. Gjatë janarit 2025, aksioneri kryesor i saj ka vendosur të shtojë dy herë kapitalin fillestar, një shenjë që tregon se ka vendosur të kryejnë investime të rëndësishme në Shqipëri.

Mbërritja e një televizioni serb në Shqipëri, megjithëse nuk është e ndaluar, sërish përbën një risi, jo domosdoshmërisht pozitive. Aq më tepër, kur të dhëna publike dëshmojnë se fijet e këtij televizioni shkojnë tek pushteti autoritar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe tek njerëz që kanë pasur pushtet gjatë regjimit diktatorial të Slobodan Millosheviqit.

Fijet tek pushteti i Millosheviqit

Kompania serbe “Arena News Channel Two DOO Beograd” është regjistruar në mars të vitit 2024. Në Shqipëri, përfaqësues është Zoran Glisoviq. Ndërsa drejtoresha kryesore e grupit në Beograd rezulton Aleksandra Kërstiq.

Të dhëna të publikuara më herët në mediat në Beograd e lidhin Kërstiq me fijet mediatike që shkonin në familjen e Sllobodan Millosheviq.

Aleksandra Kërstiq ka qenë më herët një drejtuese e televizionit “Happy TV”, një grup mediatik derivat i ish-televizionit “TV Koshava”, që ka qenë në pronësi të Maria Millosheviq, vajza e ish-diktatorit serb.

Po ashtu, të dhënat mediatike, thonë se Aleksandra Kërstiq, më herët, kanë pasur pozita të rëndësishme në grupin mediatik “Invej” AD, në pronësi të një biznesmeni kontravers serb, Predrag Rankoviq – Peconi, i dyshuar se ka pasur lidhje me grupin famëkeq kriminal, “Klani i Zemunit”.

Lidhjet me Vuçiq

Televizioni “Happy TV”, i drejtuar për një kohë të gjatë nga Aleksandra Kërstiq, ka një linjë të fuqishme pro-qeverisë konservatore të Vuçiqit. “Happy Tv” është vënë shpesh në shërbim të përmirësimit të imazhit të Vuçiqit, sidomos përballë raportimeve të mediave ndërkombëtare mbi mënyrën e tij të qeverisjes.

Kur, në vitin 2023, gazeta amerikane “New York Times” publikoi një investigim që ngrinte dyshime të forta për lidhjet e Vuçiqit me grupe kriminale, televizoni “Happy” në Beograd u përdor gjerësisht për të mbrojtur imazhin e tij.

Kompania “Arena News Channel Two Albania” do të funksiojë si një platformë televizive normale, sipas të dhënave të publikuara prej saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Aktiviteti i saj do të jetë “Prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja e përmbajtjeve audiovizive nëpërmjet televizionit, internetit, platformave digjitale dhe rrjeteve sociale. ii. Botimi dhe administrimi i publikimeve elektronike dhe mediave online. iii. Prodhimi, redaktimi dhe shpërndarja e materialeve video dhe audio për qëllime informuese, arsimore dhe argëtuese…, etj”./Insajderi