Teatri/ OKB në Shqipëri: Protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes në përputhje me ligjin

Ekipi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri deklaroi sot se “ka vërejtur me shqetësim tensionin e shkaktuar nga prishja e Teatrit Kombëtar në orët e para të së dielës 17 maj”.

Përmes një deklarate për shtyp, OKB në Shqipëri nënvizon rëndësinë e forcimit të unitetit të kuptimtë kombëtar dhe ndërtimin e besimit midis autoriteteve dhe popullatës, veçanërisht gjatë administrimit të pandemisë COVID-19.

“Më shumë se kurrë, përpjekjet e shtuara për të siguruar dialog e transparencë dhe dhënia e më shumë kohe për të siguruar përputhshmëri të plotë me ligjet në fuqi mund të ndihmojnë në shmangien e rreziqeve të lidhura me veprime që mund të dëmtojnë unitetin kombëtar”, thuhet në këtë deklaratë.

OKB në Shqipëri vëren po ashtu rëndësinë e së drejtës së protestës paqësore dhe lirisë së shprehjes, në përputhje me ligjin dhe praktikat e mira demokratike.