Të varrosur për së gjalli nën beton! Detaje tronditëse nga tragjedia që u mori jetën tre shqiptarëve në Vjenë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia në Vjenë, Alsergrund që u mori jetën tre shqiptarëve të Kosovës dhe një boshnjaku.

Gjatë punimeve në një kantier në Porzellangasse, skela u shemb dhe ata mbetën nën rrënoja e betonin ende të pangurtësuar, raporton Heute.

Ndihma erdhi shumë vonë dhe të katërt humbën jetën. Një punëtor tjetër, për të cilin thuhet se është nga Maqedonia e Veriut, u plagos rëndë dhe iu dorëzua shërbimit të urgjencës. Ai vazhdon të trajtohet në një spital në Vienë.

Një banor i zonës tregoi për “Kronen Zeitung” momentet dramatike menjëherë pas shembjes: “Ishte një zhurmë jashtëzakonisht e fortë, pastaj dëgjova vetëm britmat e punëtorëve. Më pas u ndezën sirenat.”

Betoni i pangurtësuar u hoq me dorë

Zjarrfikësit kanë thënë se punimet për shpëtimi e tyre ishin jashtëzakonisht të vështira. Oborri i ngushtë e vështirësoi ndjeshëm qasjen tek të bllokuarit. Niveli i alarmit u rrit shpejt në 2 dhe u kërkuan forca shtesë.

Për të arritur tek punëtorët, fillimisht u krijuan disa hyrje. Gardhe dhe dyer u hoqën, ndërsa ekipet filluan të largojnë pjesët e shembura të skelës dhe formimit, si dhe armaturat e hekurta. Veçanërisht i vështirë ishte largimi i betonit ende të lëngshëm që u krye me dorë.

Rreth 120 forca me rreth 30 automjete të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile ishin në vendngjarje.

Qentë kërkuan nën rrënoja

Gradualisht u nxorën dy nga punëtorët e bllokuar, por u konstatuan të vdekur. Për të nxjerrë dy viktimat e tjera, duhej të hiqeshin pjesë të tjera të rrënojave të bllokuara. Vetëm pas kësaj ishte e mundur të vazhdohej largimi i betonit që tashmë po ngurtësohej. Rreth dy orë e gjysmë pas fillimit të ndërhyrjes, edhe dy të tjerët u nxorën të vdekur.

Ambasada e Kosovës në Austri ka reaguar zyrtarisht duke konfirmuar se Pajtim Barjami, Asllan Musli dhe Istref Zekaj ishin qytetarë të Kosovës.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekim nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin. Në të njëjtën kohë, jemi të angazhuara për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave”, thuhet në njoftim.

© SYRI.net