Të shtunën në Maqedoni do të punojnë disa sportele për lëshimin e dokumenteve të gatshme

Të shtunën do të punojnë sportelet për lëshimin e dokumenteve të gatshme në RTVM dhe Beko.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se të shtunën (13.01.2024) sportelet për lëshimin e dokumenteve të gatshme do të jenë të hapura në objektet në Beko dhe RTVM në Shkup (nga ora 08:00 deri në ora 16:00).

Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë të ditëve më parë deklaroi se kjo që po u bëhet qytetarëve është turp dhe se ka kërkuar që afati për ndryshimin e dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve personale të shtyhet deri në shtator ose tetor.

I pyetur për këtë ide të Pendarovskit, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se do të diskutohet në mbledhjen e qeverisë.
Kartat e identitetit do të jenë të vlefshme për përdorim të brendshëm edhe pas datës 12 shkurt, afat sipas Marrëveshjes së Prespës me Greqinë që hyri në fuqi në vitin 2019.