Të shtëna në Prishtinë, raportohet se ka mbetur i plagosur një inspektor i IPK-së

Një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës dyshohet se ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën të hënën në rrugën B në Prishtinë.

Sipas Sinjalit, incidenti ka ndodhur pas një përplasjeje verbale mes tij dhe një personi tjetër, në rrethana që lidhen me vendosjen e kamerave në një lokal afarist.

Nga ajo që mësohet deri tani, debati verbal mes palëve ka eskaluar në një situatë shumë më serioze, duke përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.

Si pasojë e plagëve të marra, inspektori është dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nacionale ka siguruar pamje nga vendi ku njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.