Të rinjtë shqiptarë në New York dhe New Jersey kanë bërë publike një komunikatë zyrtare, përmes së cilës njoftojnë organizimin e një proteste paqësore përpara Konsullatës Shqiptare në New York, me mesazhin kryesor: “Shqipëria nuk është në shitje.”
Në deklaratën e tyre, organizatorët theksojnë se, megjithëse jetojnë jashtë vendit, nuk kanë qëndruar indiferentë ndaj sfidave dhe problematikave që, sipas tyre, po prekin Shqipërinë. Ata shprehen se po ngrihen në mbrojtje të mjedisit dhe pasurive natyrore të vendit, duke përmendur veçanërisht zonat e Zvernecit, Nartës, Rrjollit dhe territore të tjera me rëndësi ekologjike.
“Ngrihemi për t’u bërë krah vëllezërve dhe motrave tona në Shqipëri dhe për t’u thënë se nuk janë vetëm. Ngrihemi gjithashtu për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjeve që prekin mjedisin, trashëgiminë natyrore dhe të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në komunikatë.



