Një hetim i nisur nga Prokuroria e Milanos ka nxjerrë në dritë një nga episodet më të errëta të luftës në Bosnje. Disa shtetas italianë dyshohet se paguanin për të shkuar në kodrat mbi Sarajevë gjatë rrethimit të qytetit, ndërmjet viteve 1992 dhe 1996, dhe për të vrarë civilë të pafajshëm si turistë snajperë.
Hetimi ka hapur një dosje për vrasje të shumfishta të kryera me mizori dhe motive të ultë, duke tronditur opinionin publik italian dhe duke ngritur pyetje mbi indiferencën morale të një pjese të shoqërisë së pasur. Shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, që ka nisur hetimin, e konsideron këtë çështje shumë personale. Ai shpjegon: ‘Është shumë personale. Është historia e jetës. Nxjerr në dritë një pjesë të shoqërisë që fsheh të vërtetën. Një shoqëri që jeton me dukjen.’
Sipas tij, bëhet fjalë për njerëz të pasur dhe me reputacion të lartë, biznesmenë dhe persona me ndikim, që gjatë rrethimit të Sarajevës paguanin për të vrarë civilë të pafajshëm dhe pastaj ktheheshin në jetën normale, të respektuar nga të gjithë. Ai përshkruan situatën si një formë të indiferencës së së keqes:
‘Po flasim për njerëz të pasur, me reputacion, biznesmenë, që gjatë rrethimit të Sarajevës paguanin për të vrarë civilë të pafajshëm. Niseshin nga Trieste për gjuetinë e njerëzve. Dhe pastaj ktheheshin dhe vazhdonin jetën e tyre normale, të respektuar nga të gjithë. Njerëz me pasion për armët, që e shfrytëzonin atë, që preferonin të shkonin në gjumë me armën pranë, me para në dispozicion dhe kontaktet e duhura midis Italisë dhe Serbisë.
Kjo është indiferenca e së keqes: të bëhesh Zot dhe të mbetesh i pandëshkuar.’ Gavazzeni ka mbledhur shumë prova për të mbështetur kallëzimin e tij në prokurori./Syri.tv




