Kievi është zgjuar me skena të reja shkatërrimi pas një sulmi të forcave ruse i cili shkatërroi një qendër tregtare. Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës tha se të paktën tetë persona janë vrarë gjatë këtij sulmi, i cili goditi edhe ndërtesat e banimit, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Kievit Vitali Kliçko.
“Armiku vazhdon të sulmojë kryeqytetin. Natën, ekipet e shpëtimit po punonin për të shuar zjarrin në lagjen Podil. Ku si pasojë e granatimeve u dogj qendra tregtare, u dëmtuan gjashtë pallate. Tetë persona vdiqën. Dy shkolla dhe dy kopshte janë dëmtuar gjithashtu. Për shkak të zjarreve pas sulmeve ajrore në kryeqytet dhe rajon, është konstatuar ndotje e ajrit, prandaj mos hapni dritare dhe kur dilni jashtë”, tha Vitali Kliçko – kryetari i Kievit.
Ukraina ka refuzuar një kërkesë të Rusisë për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit, derisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka bërë thirrje sërish për negociata me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Banorët e Mariupolit, i cili ka pasur një popullsi prej 400,000 banorësh para shpërthimit të luftës, është bllokuar në dy javët e fundit, pa furnizime të ushqimit, ujit dhe karburanteve.
Në një video-fjalim Zelensky, tha se zhurma e sirenave të sulmit ajror është bërë “normale” në Ukraine.
“Mos kini frikë. Ju do të dëgjoni zërin me të cilin po jetojmë prej 25 ditësh. Ky tingull është bërë normal për të gjithë në qytetin tonë”, deklaroi Volodimir Zelensky – Presidenti i Ukrainës.
“Kjo ishte vetëm njëzet sekonda, ndërsa ne po e dëgjojmë për orë, ditë dhe javë. Njerëzit tanë e dëgjojnë vazhdimisht dhe menjëherë marrin fëmijët e tyre, ndihmojnë të moshuarit dhe shkojnë në strehimore nën tokë për të qenë të sigurt, për të qëndruar gjallë nga raketat ruse dhe bombat ajrore”.
Zelensky i bëri thirrje Izraelit që të marrë një qëndrim më të fortë kundër Rusisë. Në një fjalim para ligjvënësve izraelitë, presidenti Zelensky tha se është koha që Izraeli, i cili është shfaqur si ndërmjetësuesi kryesor mes Ukrainës dhe Rusisë, të marrë më në fund një anë.
Ai tha se Izraeli duhet të ndjekë aleatët e tij perëndimorë duke vendosur sanksione dhe duke ofruar armë për Ukrainën.




