Të njëjtët që kërkojnë respekt për gjuhën maqedonase, e shohin gjuhën time amtare si kërcënim!

Shkruan: Blendi Hodai

Sinqerisht, më vjen turp nga reagimet. Në çdo konferencë ndërkombëtare ku fqinji lindor e mohon gjuhën maqedonase, kam qenë ndër ata që e mbrojnë pa hezitim. Dhe këtë e bëj sepse besoj se gjuha është çështje dinjiteti. Por në shtëpi, të njëjtët që kërkojnë respekt për gjuhën maqedonase, e shohin gjuhën time amtare – shqipen – si kërcënim. Me sa duket, gabimi im që mendova se i kemi lënë pas këto narrativa.

Provimi i jurisprudencës nuk është provim i gjuhës maqedonase, por një provim profesional për zbatimin praktik të së drejtës. Ai nuk të bën automatikisht as gjykatës, as prokuror, por vetëm ta hap derën për trajnim të mëtejshëm, i cili gjithsesi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Prandaj nuk është e qartë ku qëndron problemi që studentët që kanë studiuar katër vite në gjuhën shqipe ta përdorin të drejtën që u takon me ligj. Apo problemi në fakt është vetë gjuha shqipe?

Në praktikë kemi shumë shembuj ku gjykatës dhe prokurorë shqiptarë e zotërojnë gjuhën maqedonase pa asnjë problem, shpesh edhe më mirë se shumë të tjerë në shtet. Respektimi i gjuhës së komunitetit të dytë më të madh nuk është kërcënim, por bazë për respekt të ndërsjellë dhe për një shtet funksional. Gjuhët në vetvete janë të pafajshme, prandaj detyra jonë është të kemi kujdes çfarë mesazhesh përcjellim përmes tyre, sepse ato janë vetëm instrumente përmes të cilave shprehen mendime të ndryshme.

Me shovinizëm nuk ndërtohet shtet. Me shovinizëm vetëm vazhdojmë të rrotullohemi në rreth, me të njëjtat ndarje nga të cilat të gjithë humbim.

*drejtor ekzekutiv i Forum for Educational Change (FECH)