Të luftosh kundër qeverisë për 80 euro si me Serbinë! / A është çmenduri apo antishqiptari

A ishte një protestë e frikshme dje!?

Qindra veteranë, në mesin e të cilëve padyshim se ka pasur edhe pseudoveteran, u dëgjuan pas shumë kohësh kërcënimet më të egra, të drejtuara ndaj shtetit të Kosovës, në fakt, të dëgjuara atëherë kur përpjekjet ishin maksimale për liri.

Nuk kishte nevojë për analiza, mendime intelektuale, filloi një valë kundëreagimesh vetvetiu, sapo dëgjuan disa nga thirrjet.

Më e trishta

Ajo më e trishta ka zënë vend më shumë, dhe po shpërndahet kudo nëpër internet: Veterani, “Qysh i kemi kap armët kundër Millosheviqit, i kapim edhe për këtë qeveri!”

Mesazhi i saj ua kujtoi përnjëherë qytetarëve të shumtë, thirrjet që disa ushtarë të udhëhequr nga e majta në luftës, u thoshin kërcënueshëm, udhëheqësve të njësiteve të UÇK-së e brigadave insitutucionale, se “nëse kemi armë boll me luftu me shkavin, me juve na dalin”! Dhe më pas i kërkonin që të largoheshin apo tërhiqeshin, nëse nuk pranonin të hynin në vartësinë e tyre!

Image

Protestues të shumtë kërkojnë paga dinjitoze

Pra, kjo deklaratë zbulon shumë gjëra. Duke na kujtuar të kaluarën ajo na kthen në vëmendje se për llogari të kujt këta veprojnë, sigurisht jo për frymën shtetërore, por për frymën dhe interesin e cilit grupim?!

Të luftosh kundër Qeverisë, se për 80 euro nuk po ua rrit pensionet, a nuk është një lajthitje mendore?!

Por, të luftosh me të si me Serbinë?! A nuk të çon kjo tek qindra dilema, se me kë ishit ju në luftë, që “luftonit me Rugovën (rugovistët) si me shkiet”!

Kjo tregon që ju që flisni dhe silleni kështu, më së paku vuani nga një shpëlarje truri, pra nga shpëlarje, që në vend se ta keni shqiptarinë në qendër të mendimit, veprimit, interesit, ju keni vënë interesat tuaja, pa asnjë identitet më së paku, për të mos thënë armiqësor!

Pra, ju e zbuloni thelbin e problemit me këtë parullë! Shtyrjen më se 20 vjeçare, më saktë 24 vjeçare, mospajtimin e Rugovës dhe rugovistëve, jo vetëm me etiketat e juaja, që nuk ndaleshin aty, por që vratë qindra patriotë në luftë dhe në paqe!

Ju po vazhdoni t’ia zbuloni shqiptarëve motivet e udhëheqësve tuaj, ndërsa ju mjerimin tuaj se si jeni manipuluar tash gati një çerekshekulli!

Sikur të kishit pranuar ta kuptonit shqiptarinë e vërtetë që në luftë, edhe ajo do të kishte qenë shumë më e ndritshme, me shumë më pak probleme, si me veriun, uzurpimet, dhe do t’i kishim të gjallë, ata që janë viktima të vrasjeve politike, dhe besa, edhe shumë prej tyre që po kërkohen për në Hagë nga gjykata speciale, nuk do të kishin pasur as ftesa.

Është e habitshme, që ju kurrë nuk reaguat dhe as kërcënuat asnjë Qeveri për marrëveshjet për asociacionin e 2013-ës dhe të 2015-ës!

Nuk e kërcënuat as për humbjen e 8.230 hektarëve tokë në marrëveshje të gabuara me Malin e Zi dhe të dëmshme!

Image

Protestuesit veteranë që heshtnin për ndarjen e Kosovës

Nuk e kërcënuat as Presidencën Thaçi në përpjekjen e tij për disa vite, 2018-2020 për ta ndarë Kosovën!

Pra, ju nuk u dëgjuat as për humbjen e territorit, për ndarjen e Kosovës, që ishte guri provues për patriotizmin tuaj ose jo! Fatkeqësisht reagimet në luftë – vrasjet politike, dhe mos reagimet ndaj ndarjes së shtetit, ju bëjnë bashkëfajtorë dhe ju përlyejnë me krimin, jo me patriotizmin!

Kjo së bashku me thirrjet tjera, dëshmon se këta nuk kishin dalur thjesht për të kërkuar barazi apo edhe mosdiskriminim.

Edhe unë jam, që për veteranët e vërtetë me rastin e rritjes së pagës minimale, të rritet edhe paga për veteranët.

Është tjetër gjë procesi i pastrimit të listave. Atë duhet ta vendosë gjykata, ndërsa Qeveria duhet ta gjejë mënyrën e administrimit të rritjes së të hyrave edhe për veteranët dhe invalidët e luftës, në këtë kohë të thellë të krizës!

Sistemi i barazisë së rrënuar

Gjërat duhet parë realisht me gjakftohtësi. Sistemi pensional në Kosovë është një batërdi e tërë!

Është e padiskutueshme, që atë e rrënoi Serbia duke e plaçkitur Fondin Pensional të Kosovës!

Por, kush e ka bërë ligjin, që punëtorëve shqiptarë që nuk kanë punuar së paku 15 vjet në sistemin komunist ose të Millosheviçit, të mos u takojë pensioni!?

Ky ligj është një krim antishqiptar, por edhe krim kundër njerëzimit. Të gjithë ata shqiptarë që e refuzuan sistemin e dhunës kriminale të Serbisë dhe Millosheviçit, e që nuk i kishin kaluar deri më 1990 apo 1991, 15 vjet përvojë pune, u lanë pa pensione! Ndërsa, serbët dhe shqiptarët ‘e ndershëm’, që morën pjesë, bashkëpunuan apo e lehtësuan dhunën serbe, u shpërblyen dhe shpërblehen pa diskutim me pensione!

Prandaj, sistemin e rrënuar shëndetësor, arsimor, të drejtësisë, privatizimin… e deri tek sistemi pensional i shoh, si pjesë të një lufte speciale ndaj qenies shqiptare!

Image

Protestues të udhëhequr nga grupe interesi parapolitike

FOTO GALERI

Prandaj, ontologjia e këtyre probleme është shumë më e thellë, dhe nuk kalon as vetëm nëpër ca individë dhe as në vetëm një parti.

I takon kësaj qeverie, që ta rregullojë këtë gjendje të rëndë të paligjshmërisë, në kundërshtim me vetë barazinë kushtetuese dhe me Konventën për të Drejtat e Njeriut, si kategori superiore e rregullimit të së drejtës në Kosovë!

Po ashtu edhe e drejta e fëmijëve për shtesa, si në gjithë botën duhet të rregullohet, në mënyrë që ato të jenë vërtetë ndihmë për rritjen e fëmijës apo shkollimin e tij, dhe jo një lëmoshë turpëruese, që ende nuk zbatohet në tërësi!

Turpi është turp, nuk kemi pse e mbulojmë! Si kur ata që duan ta djegin një qeveri apo shtet, sikur e lejojmë apo e ndihmojmë sistemin të na djegë vetëm pse jemi shqiptarë, vetëm pse e kanë projektuar të tjerët kundër nesh!