Të kaluarat tona të pabëra

Shkruan: Arbër ÇELIKU

Sa më shumë që po hyj në vite dhe përballem me realitetin tonë shoqëror, ndër mend më vijnë vërdallë fjalët e të parëve të mi. Ende si fëmijë, më kujtohet babagjyshi kur fliste, edhe pse atëbotë më dukej se ai fliste përçart: “Kur të flisni për personin e varur, kurrë mos përmendni litarin” na drejtohej neve nipave dhe mbesave. Atëkohë as që kuptonim ne gjë nga këtë fjalë, thjesht ngërdhesheshim me njëri-tjetrin, me demek “e ka lënë mendja të shkretin” dhe vazhdonim me formën e jetesës të botës tonë fëmijërore.

Tani e kuptoj se çfarë deshi të na thoshte gjyshi. Litarin ai e shihte vetëm si një mjet të kryerjes së veprës makabre, për të rëndësi kishte individi, përmes të cilit ai projektonte mjeshtërisht fatin tonë kolektiv. Ai druante për të ardhmen tonë, ashtu siç druaj unë sot për të ardhmen e djalit tim dhe mbarë gjeneratës së re.

Titulli i këtij shkrimi, mbase shumëkujt mund t’i duket lajthitës, sepse e shkuara si kohë e ngjarjes, gramatikisht shprehet vetëm në njëjës, por unë qëllimisht flas për të kaluarën tonë në shumës, duke e segmentuar atë nëpër etapa, të cilat kanë qenë vendimtare sa për ekzistencën tonë kolektive, aq edhe për formësimin tonë si popull nëpër vazhdën e historisë. Çdo pushtues na ka mbrujtur të jemi imunë fizikisht, por shpirtërisht kemi trashëguar shumë prej tyre, sidomos sa i përket korpusit tonë kulturor. Më tragjikja është se ne, nga këto rrethana, gjithmonë kemi dalë të dobët dhe më të dobët, sa sot e gjithë ditën kolektivisht po përballemi me mungesën e perceptimit të një vetëbesimi minimal, që do të na bënte të rezistueshëm ndaj proceseve të tanishme politike-shoqërore.

Të kaluarat e shumta kanë ndikuar dukshëm në atë, që ne si popull të jemi të ngarkuar psikologjikisht dhe mbamendja jonë të jetë e stërmbushur me imazhe të panumërta të secilës së shkuar veç e veç. Mjafton të shikosh diskursin publik, atë intelektual, politik e mediatik dhe fare lehtë e kupton se ne nuk shqitemi dot nga të kaluarat tona. Thjesht kemi ngecur në to, ato janë kthyer në makthin tonë, kompleksin e pamposhtur tonin, të stërmbushur me nostalgji patetike. Dhe, duke qëndruar fort në të kaluarat tona, popujt e tjerë kanë ikur qindra vjet në të ardhmen, duke hapëruar marramendshëm përpara.

Të kaluarat përbëjnë lajtmotivin e diskursit tonë të përgjithshëm, biseda vazhdon të sillet rreth litarit, i varuri as që përbën interesimin tonë publik. Shembull i keq për gjeneratat e reja, formë jetese bajate, e cila nuk përmbyset dot dhe i detyron të rinjtë ta injorojnë atë, duke u përpjekur të arratisen sa më larg, nga këmbët sytë.

Sot këto të kaluara nuk ekzistojnë më, por ato dhunshëm, qëllimshëm dhe pa takt rikonstruktohen, nga mijëra grimca johomogjene nëpër histori po krijohet një njësi atomike homogjene, që nga shpërthimi i përditshëm po shkreton ngadalë, por sigurtë tërë membranën shoqërore. Të kaluarat po ngjizen në një: perandorake, mbretërore, komuniste dhe banditeske, duke rezultuar me një armë të fortë atomike, që e ardhmja të jetë e vagullt për ne. Dhe, të ardhmen e zymtë kemi filluar ta ndiejmë të gjithë nën lëkurë. Nga të kaluarat e pabëra po e projektojmë të ardhmen tonë të pabërë, aq gjëmshëm, aq somnambul, aq të paqenë, sa edhe vetë kemi filluar të ngrysemi si mos më keq.

Rri e çuditem se si mundet që ky popull t’u përkasë kaq shumë të shkuarave të veta, të jetë aq besnik i verbër ndaj tyre, të ushqehet pa ndërprerë me to dhe shpirtin e tij ta kenë pushtuar aq dhimbshëm ato.

Ka kohë që vrojtoj proceset politike, i analizoj ato, i interpretoj dhe i fshikulloj, sepse si njeri e dua popullit tim, e ëndërroj një të ardhme më të mirë për veten dhe për të, por të kaluarat i kanë vënë pritë edhe politikës. E njoh çdo lider tonin personalisht, kam diskutuar gjerë e gjatë me ta, por tek asnjëri nuk vërejta t’i thurë elozhe së ardhmes, ata kanë ngecur dukshëm në të kaluarat tona. Liderët e pozitës merren pa nge me të shkuarat e largëta dhe të afërta historike, rivalët e tyre me të shkuarat e oponentëve të tyre politikë dhe përsëri gjithçka rrotullohet rreth së shkuarave. E ardhmja vazhdon të qëndrojë prore në horizont, e virgjër, e pabërë, e pamposhtur. Të mposhturit mbetemi ne, si individë, si shoqëri dhe si popull.