Të dielën përfundon llogaritja dimërore e kohës – akrepat zhvendosen një orë përpara

Llogaritja verore e kohës fillon gjatë fundjavës, natën e shtunë drejt së dielës në orën 2 kur akrepat e orës do të zhvendosen një orë përpara dhe në vend se 2, do të jetë 3.

Kjo do të thotë se do të bëjmë gjumë një orë më pak, por do të ketë ditë më të gjata dhe më shumë dritë dite gjatë pasdites.

Ndryshimi i kohës tek ne, si dhe në disa vende evropiane, bëhet dy herë në vit, dhe atë fundjavën e fundit të marsit kur fillon llogaritja verore e kohës dhe fundjavën e fundit të tetorit kur fillon llogaritja dimërore e kohës.

Këtë vit, llogaritja verore e kohës do të zgjasë deri më 25 tetor në orën 3 pas mesnate.

Vendimi për vendosjen e llogaritjes verore të kohës është në pajtim me Ligjin për llogaritjen e kohës (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 17/96 dhe 16/97) dhe në pajtim me direktivat evropiane.

Përveç nesh, shumica e vendeve evropiane do të aplikojnë gjithashtu orën e verës, përveç Rusisë, Turqisë, Bjellorusisë dhe Islandës. Ndryshimet sezonale të kohës, përveç Evropës, aplikohen edhe në shumicën e vendeve në Amerikën e Veriut dhe Qendrore, si dhe në disa vende të tjera anembanë botës. Më 4 mars 2019, Parlamenti Evropian votoi për të hequr ndryshimet sezonale të kohës nga viti 2021. Megjithatë, Këshilli i BE-së ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, kështu që nuk është plotësisht e sigurt se kur do të jetë ndryshimi i fundit i orës. Ora nuk ndryshon në Japoni, Kinë, Korenë e Jugut, as në vendet në kontinentin afrikan.