Të dhënat e raportit të Avokatit të Popullit tregojnë se përfaqësimi i shqiptarëve gjatë vitit 2024 është rritur për 0,6% në krahasim me vitin paraprak. Respektivisht prej 21,7 në 22,3%. Megjithatë numrat i referohen periudhës kur ishte në fuqi Balancuesi i cili u shfuqizua në tetor të vitit 2024.
(TABELA 1) Nëse analizohen të dhënat bie në sy që përfaqësimi i shqiptarëve nuk është i nivelizuar në të gjitha institucionet. Respektivisht, në resorët ku kanë udhëhequr shqiptarët, shpesh numrat janë edhe mbi kuotën e 25% dhe e kundërta shpesh ndodh me institucionet ku kanë udhëhequr maqedonasit. Shembull klasik për këtë kemi Ministrinë e Arsimit e cila është menaxhuar mbi dy dekada nga shqiptarët. Përfaqësimi në këtë resor në vitin 2023 ishte 39%, por me ardhjen e Vesna Janevskës në krye të Ministrisë përfaqësimin e shqiptarëve e uli për 8%, respektivisht në 31%. Ngjashëm ndodhi edhe me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, ku përfaqësimi i shqiptarëve nga 44,4% u ul për 6,4%, apo në Ministrinë me të cilën udhëheqë Ivan Stoilkoviq i cili e shkurtoi përfaqësimin e shqiptarëve për 3,7%.

(TABELA 2) Bindja se shqiptarët përfaqësohen denjësisht ose mbi kuotën 25%, vetëm kur në pozitat udhëheqëse të institucioneve janë shqiptarë mbase mund të përforcohet edhe nëse i shohim të dhënat për Avokatin e Popullit, Avokatin e Shtetit, Gjykatën Administrative, KSHZ Kuvend, Qeveri e të tjerë.
Megjithatë, ndodh e kundërta në rastet ku shqiptarët nuk kanë pasur fuqi në vendimmarrjet e disa institucioneve. Rast më eklatant e kemi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, e cila prej 66 të punësuarve ka vetëm 1 shqiptarë, respektivisht 1,5%. Ndonëse me një rritje thuajse të parëndësishme, shqiptarët si në vitin 2023 edhe në vitin 2024 vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuar edhe në Gjykatën Supreme 11,5%, Presidencë 12,5%, Gjykatën Kushtetuese 15,1, Prokurori, Bankë Popullore e të tjera.

(TABELA 3) Ndërkohë prej listës së përgjithshme Alsat hartoi një listë me rreth 40 institucione ku përfaqësimi i shqiptarëve është mjaft i ulët. Rast i tillë është Klinika e Radiologjisë ku shqiptarët përfaqësohen me vetëm 2%. Në Universitetin e Kirilit dhe Metodit përfaqësimi i shqiptarëve është vetën 2,3%, ndërsa në Kopshtin Zoologjik 2,4%. Përfaqësim shumë të ulët ka edhe në Klinikën e Neurokirurgjisë me vetëm 2,8%, Filarmoni 4,2%, Prokurorinë e Shkupit 5,1%. Përfaqësim të papërfillshëm ka edhe në Klinikat për Vesh Hundë dhe Fyt, Kirurgji Digjestive, por edhe Kirurgjisë së Fëmijëve ku prej 6 deri në 7% e të punësuarve janë shqiptarë. Rast i ngjashëm është edhe në shumë klinika tjera si Pulmologji, Onkologji, Nefrologji, Psikiatri, Toskikologji, Hematologji, Neurologji, Kardiologji, Urologji, apo Gjinekologji. Përfaqësimi i shqiptarëve është i dobët edhe në Gjykatën Penale të Shkupit me vetëm 7%, Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar 13,3%. Në Kinotekën e Maqedonisë, vetëm 12,5% e të punësuarve janë shqiptarë.






