Të dashur banorë të Çairit, mbrohuni vetë nga epidemia, sepse Bujar Osmani është i nxënë me Shtipin e Kavadarin

Arburim Brahimi

Çairi është lënë në mëshirë të zotit në përballje me epideminë. Rastet e reja të infektuarve shtohen dita ditës, kurse numri i atyre që shërohen është ende i vogël. Numri i viktimave nuk është për t’u nënçmuar. Komuna me popullsi më të e dendur në Evropë ka infrastrukturë të dobët shëndetësore, që nuk mund të përballet me gjendjen e krijuar. Kjo po na kushton shumë neve banorëve. Këtë pakujdesi disa po e paguajmë me shëndetin tonë, disa edhe me jetë.
Komuna që kishte ministër shëndetësie (Bujar Osmanin), sot ka infrastrukturë më të dobët shëndetësore nga të gjitha komunat tjera të Shkupit, ndoshta me përjashtim të Sarajit.
Kurse Bujar Osmanit i mjaftojnë dy fjalë për Çairin: Është komuna më e populluar në Evropë! Me kaq mendon se e ka kryer obligimin e tij. Sa vonë e paska kuptuar se Çairi është komuna me popullsi më të dendur. Pse nuk e kuptoi kur ishte ministër i shëndetësisë? Çdo funksionar normal angazhohet për gjithë vendin, por pak më tepër angazhohet për vendlindjen e tij. Pse nuk u angazhua kështu Bujar Osmani për Çairin? Nuk ishte pak kohë ministër i shëndetësisë? Apo ishe i nxënë duke i shërbyer shefit të tij, Nikolla Gruevski?
Bujar Osmani edhe sot mban post të rëndësishëm në përballjen me epideminë. Ndoshta postin më të rëndësishëm prej të gjithëve, si koordinator i Shtabeve komunale. Ndoshta merr edhe rrogë shtesë për këtë post. Por ku është angazhimi i tij? Apo është i nxënë nxënë me përkujdesjen që epidemia të menaxhohet për Shtipin e Kavadarin, duke e harruar krejtësisht komunën e tij, Çairin (ku thuhet që ka shtëpi 400 mijë euro).