Një rekrutues punëtorësh e bindi Makhsudur Rahmanin që ta linte ngrohtësinë e vendlindjes së tij në Bangladesh dhe të udhëtonte me mijëra kilometra në Rusinë e ftohtë për një vend pune si mirëmbajtës.
Brenda disa javësh, ai e pa veten në vijat e frontit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Sipas një hulumtimi të kësaj agjencie, punëtorët nga Bangladeshi ishin joshur për të shkuar në Rusi me premtimin e rremë për punë civile, por pastaj u hodhën në kaosin e luftimeve në Ukrainë. Shumë prej tyre u kërcënuan me dhunë, burgosje ose vdekje.
Agjencia “Associated Press” bisedoi me tre bangladeshas që kanë ikur nga ushtria ruse, përfshirë Rahmanin, i cili tha se, pasi kishte arritur në Moskë, atij dhe një grupi të punëtorëve të tjerë nga Bangladeshi u ishte kërkuar që të nënshkruanin dokumente ruse që do të ishin kontrata ushtarake. Ata u dërguan në një kamp ushtarak për trajnime rreth teknikave luftarake me dronë, procedura të evakuimit mjekësor dhe shkathtësi ushtarake elementare duke përdorur armë të rënda.
Rahmani kishte protestuar, duke u ankuar se ajo nuk ishte puna të cilën ishte pajtuar ta kryente. Një komandant rus i kishte dhënë kundërpërgjigje të prerë përmes një aplikacioni për përkthim: “Agjenti yt të dërgoi këtu. Ne të blemë ty.”
Tre burrat nga Bangladeshi thanë se ishin detyruar që të bënin detyra në vijën e frontit kundër vullnetit të tyre, përfshirë avancimin para forcave ruse, transportimin e dërgesave, evakuimin e ushtarëve të plagosur dhe tërheqjen e të vdekurve. Familjet e tre burrave të tjerë nga Bangladeshi që janë zhdukur thanë se të dashurit e tyre kishin ndarë rrëfime të ngjashme me të afërmit.
Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Jashtme e Rusisë e as Qeveria e Bangladeshit nuk iu përgjigjën disa pyetjeve të agjencisë “Associated Press”.
Rahmani tha se punëtorët në grupin e tij ishin kërcënuar me nga 10 vjet burgim dhe janë rrahur.
“Ata thoshin: Pse nuk po punon? Pse po qan? Dhe na shkelmonin” – tha Rahmani, i cili arriti të ikte dhe të kthehej në shtëpi pas shtatë muajve.
Rrëfimet e punëtorëve ishin të mbështetura në dokumente, përfshirë letrat e udhëtimit, kontratat ushtarake ruse, raportet mjekësore e policore e disa fotografi. Në dokumente shfaqen vizat që u janë dhënë punëtorëve nga Bangladeshi, lëndimet e pësuara gjatë betejave dhe dëshmi të pjesëmarrjes së tyre në luftë.
Zyrtarë e aktivistë thonë se Rusia ka vënë në shënjestër burra edhe nga vende të tjera nga Azia Jugore e Afrika, përfshirë Indinë e Nepalin./Nacionale



