Taravari: Top Channel gënjen për takimin me Ahmetin

Arben Taravari përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka demantuar një shkrim të publikuar nga televizioni Top Channel për një takim takim mes tij dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, pas rezultateve nga zgjedhjet e djeshme presidenciale.

“Me keqardhje mësova sot nga një media tepër serioze e Shqipërisë si është Top Channel se unë qënkam takuar mbrëmë me z.Ahmeti dhe funksionarë të tjerë të BDI-së, për të dëgjuar ofertë nga z.Ahmeti.

Jo, nuk është e vërtetë.

Kushdo që e ka çuar këtë lajm në Top Channel gënjen.

Unë mbrëmë u urova me ekipin tim dhe të qetë sot vazhdojmë punën tonë Drejt Ndryshimit!

Me ofertat e Ahmetit unë jam mësuar dhe mendoj se nuk do të ishte habi të më vinte një e tillë, por ky lajm është i rremë.
Ofertat nuk kalojnë te unë!”, ka shkruar Taravari.

Televizioni nga Tirana Top Channel, ka shkruar se pak orë pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të ditës së djeshme, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka zhvilluar një takim të fshehtë me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrin teknik të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

“Takimin e ka konfirmuar vetë Taravari për mediat vendase, por pa dashur të japë më tepër detaje.

I pyetur nëse do ta pranojë një ofertë që i është dhënë nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, Taravari ka deklaruar se do të flasë publikisht pas disa ditësh.

Mediat kanë raportuar se në takimin ku ka marrë pjesë edhe një ministër i BDI-së në kabinetin qeveritar, Ali Ahmeti i ka bërë një ofertë serioze Arben Taravarit për t’u bashkuar me Frontin Europian dhe tani pritet përgjigjja e tij përfundimtare.

Në zgjedhjet e ditës së djeshme Taravari mori rreth 40 mijë vota më pak se Bujar Osmani i Frontit Europian”, raporton Top Channel.