Sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka akuzuar koalicionin qeverisës LSDM-BDI për presione ndaj administratës publike dhe shtetërore. Ai ju ka bërë thirje partive në pushtet që tu japin fund presioneve duke paralajmëruar se do të ketë përgjegjësi për të gjitha presionet.
Teksti i plotë nga konferenca per media qe mbajti sot Arben Taravari:
Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave!
Aleanca për Shqiptarët, ditëve të fundit ka pranuar shumë denoncime nga qytetarë, të punësuar në organe dhe institucione të ndryshme publike dhe shtetërore, për presion, mobing dhe hakmarrje politike nga ana e pushtetit aktual. Kjo tregon se ashtu siç kanë bërë në çdo cikël zgjedhor, edhe kësaj radhe BDI ka filluar me fushatën e saj të pistë parazgjedhore!
Kjo ” fushatë” fatkeqësisht u kushton shumë nëpunësve shtetërorë që nuk ndajnë të njëjtën bindje politike me partitë në pushtet. Rast i fundit është ai i Bekim Afuzit, i punësuar në Drejtorinë Doganore të Maqedonisë së Veriut. Afuzi ka shprehur publikisht qëndrimet kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe si pasojë e këtyre qëndrimeve ditë më parë është ulur në detyrë. Presionet ndaj tij kanë filluar që nga viti 2008, ndërsa së fundmi e kanë detyruar që të largohet nga puna vetëm e vetëm ta ruaj krenarinë e tij. Si Bekimi ka dhe shumë të tjerë të cilët nuk po dorëzohen, por përkundrazi po mobilizohen për t’iu hakmarrë këtij regjimi në formën më demokratike.
Të indinjuar dhe të zhgënjyer nga kjo politikë që na mban në vendnumëro sot ende flasim për sigurinë dhe dinjitetin e nëpunësve tanë, gjëra që nuk do të duhej as të viheshin në diskutim e sidomos tani që jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Por, pikërisht sepse jemi në prag të zgjedhjeve lokale e gjithë kjo politikë e ulët, që as politikë nuk meriton të quhet bëhet me qëllim që të fshihen dështimet e tyre në pushtetin lokal, të fshihen premtimet e parealizuara dhe gënjeshtrat e tyre.
Gjithçka do të del në pah, por jo sot! Sot jemi këtu t’u japim përkrahje nëpunësve shtetërorë duke u bërë thirrje për mosbindje ndaj politikave të ulëta, duke i siguruar se jemi këtu për ta dhe do të jemi gjithmonë për t’i dhënë fund presioneve që u bëhen për një vend pune. Vota e secilit qytetarë është e vlefshme dhe e fuqishme njësoj, është e drejta e gjithsecilit nga ne për të kërkuar më të mirën për vendin tonë në çdo sferë. Vota jonë duhet të na sigurojë ardhmëri më të mirë, jo vetëm një vend pune!
Ka ardhur fundi, sepse qytetarët janë të vetëdijshëm dhe dinë të bëjnë diferencën, prandaj i bëjmë thirrje koalicionit LSDM-BDI që përfundimisht të heq dorë nga metodat diktatoriale dhe kriminale me të cilat ka arritur fitore deri tani.
Për çdo presion dhe shkelje tjetër do të njoftohen edhe OSBE-ODIHR dhe të gjitha përfaqësitë diplomatike. Andaj, ju bëjmë thirrje të gjithë të punësuarve, mos u frikësoni, mos u dorëzoni, denonconi, mbroni të drejtat tuaja dhe dënoni ata në rastin e parë që do ta kemi bashkërisht për t’i dënuar!
Ju faleminderit!





