Taravari për situatën në Gostivar: Mos nxirrni përfundime pa përfunduar analizat

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka reaguar lidhur me situatën në Gostivar, ku një numër i madh qytetarësh kanë kërkuar ndihmë mjekësore, duke bërë thirrje që të priten rezultatet zyrtare të analizave dhe të shmangen përfundimet e nxituara, raporton Zyrtare.

Taravari, i cili është mjek dhe ish-kryetar i Komunës së Gostivarit, tha se sipas informacioneve të deritanishme, analizat fizike dhe kimike të ujit, përfshirë vlerën e pH-it dhe nivelin e klorizimit, nuk kanë evidentuar devijime.

Ai bëri të ditur se analizat mikrobiologjike, si dhe testet shtesë për praninë e mundshme të metaleve dhe parametrave të tjerë, janë ende në proces, ndërsa ekipet e Institutit të Shëndetit Publik po punojnë gjatë gjithë fundjavës.

“Në momente të tilla, faktet janë më të rëndësishmet. Askush nuk duhet të nxjerrë përfundime paraprakisht. Shkaku do të përcaktohet nga ekspertët, bazuar në analiza, jo në vlerësime politike”, shkroi Taravari.

Ai shtoi se, derisa rezultatet përfundimtare nuk janë publikuar dhe shëndeti i qytetarëve mbetet prioritet, nuk është e përshtatshme që të jepen gjykime politike.

Taravari theksoi se nuk është i interesuar për “garë politike në kurriz të qytetarëve”, duke nënvizuar se e vërteta do të dalë nga analizat laboratorike dhe jo nga deklaratat partiake.

Në fund, ai u uroi institucioneve punë të suksesshme dhe të shpejtë në zbardhjen e rastit, ndërsa qytetarëve të prekur shërim sa më të shpejtë.