Taravari për “LAJM”: Droga po vërteton se një pjesë e BDI-së është e kriminalizuar (VIDEO)

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët dhe kreu i Gostivarit, Arben Taravari, thotë se rasti i fundit me drogën që u gjet te këshilltari, tashmë i shkarkuar, i zëvendëskryeministrit Artan Grubi si dhe rasti me të afërmin e zëvendësministrit të MBP-së Nazim Bushi që u kap me drogë ditë më parë, dëshmojnë se një pjesë e madhe e zyrtarëve të BDI-së janë të kriminalizuar. Në një prononcim për gazetën LAJM, Taravari tha se nuk beson se do të ketë përgjegjësi për këtë njerëz pasi, sipas tij, ata janë të mbrojtur nga shteti.

“Një pjesë e anëtarësisë së BDI-së është e kriminalizuar. Këtë e din çdo qytetar i RMV-së. E dini se ato kanë qenë të mbrojtur në këtë shtet dhe kanë mundur të bëjnë çmos edhe mos të përgjigjen. Tani vetëm disa raste që dalin në sipërfaqe prej gjithë atyre që ekzistojnë dhe shteti i mbyll sytë. Unë ju garantoj se këto janë raste minimale në krahasim me atë që ndodh në BDI dhe jam i sigurtë se as këta nuk do të japin përgjegjësi. Ky pushtet SDSM-BDI është shumë i ngjashëm me regjimin VMRO-BDI, praktikisht këto veprojnë në mënyra më të sofistikuara se regjimi i kaluar”, tha Taravari për gazetën LAJM.