Taravari për kontratat në Komunën e Tetovës: Skandalet në BDI janë përditshmëri (Video)

Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, e ka quajtur skandaloze listën e publikuar, një ditë më parë, me kontratat që ish drejtuesit e Komunës së Tetovës, i kishin lidhur me qindra persona, për disa prej të cilëve u tha se nuk kanë shkuar fare në punë, shkruan gazeta LAJM.

“Kjo është skandaloze. Në komunën e Gostivarit (shkolla, ndërmarrje komunale) për kontrata që nuk janë më shumë se 150-200, në këto katër vite, drejtori i policisë financiare që është I Gostivarit, i ka dërguar ekipet e tij 7 ose 8 herë. Unë para 10 ditësh kërkova një informatë me karakter publik, për të parë sa herë drejtoria e policisë financiare ka shkuar në komunat e Strumicës, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, çair, Kërçovë e Strugë. Sipas të gjitha gjasave do të del se asnjëherë atje nuk ka shkuar, kurse në Gostivar ka ardhur shumë shpesh. Pse është kështu, tendencat më janë të qarta. Këtu ka njerëz, gati ¼ që as që kanë lidhje me Tetovën dhe ka pasur kontrata, e ne kemi të punësuar që gjithmonë shkojnë në punë dhe vazhdimisht jemi nën mbikqyrje për të gjetur ndonjë gabim për të na dënuar dhe për të na nxjerr në opinion se ja ku është krimi, ja ku është korrupsioni, kurse për këto komuna unë jam i sigurtë se nuk do të merret asnjë masë. As që do të kërkohet falje për shpenzimin e parave publike të Komunës së Tetovës, e cila ka mangësi të shumta. Por, kjo është normale për BDI-në. Kështu funksiojnë vite me radhë dhe çdokujt që i tregoni për BDI-në se ka 800 kontrata, apo 600 njerëz që s’kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, ju duket normale. Ndërsa nëse në Gostivar 1 person nuk shkon në punë dhe merr rrogën është skandal i madh dhe mediat merren me javë të tëra duke thënë ja ku është korrupsioni i madh. Institucionet gjyqësore dhe shteti i së drejtës e dijmë si funksionojnë tek ne dhe as që pres ndonjë epilog për këtë skandal sepse skandalet nëpër komunat e BDI-së dhe institucionet qendrore janë përditshmëri dhe normalitet, fatkeqësisht”, tha Taravari për gazetën LAJM.

Komuna e Tetovës në ueb-faqen e saj publikoi listën me të gjitha kontratat në vepër të lidhura gjatë vitit 2021, ku bëhet fjalë për 812 kontrata. Nga Komuna njoftojnë se kontratat janë të lidhura në mes palëve dhe Komunës së Tetovës, nën udhëheqjen e strukturave nga qeverisja e kaluar.