Taravari nga Gostivari: Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme – për këtë vendos populli, jo kryeministri

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) hapi sot zyrtarisht shtabin zgjedhor të Forumit Rinor në qytetin e Gostivarit, ku të rinjtë u bënë pjesë aktive e mobilizimit për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në këtë aktivitet, të rinjve iu drejtua edhe një nga liderët e koalicionit, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili në fjalimin e tij shpalosi arsyet e largimit nga Qeveria dhe dha mesazhe të qarta për drejtimin që po ndjek AKI.

“Shumë njerëz më pyesin pse u larguam nga Qeveria. Ne ishim pjesë e VLEN-it dhe besuam se sollëm ndryshimin. Por kur ndryshimi rezulton të jetë më i keq se e kaluara, atëherë ke dy zgjedhje: ose të heshtësh dhe të mbash poste, ose të reagosh dhe të largohesh me dinjitet. Ne zgjodhëm të dytën,” – theksoi Taravari.

Ai shtoi se Aleanca Kombëtare për Integrim është krijuar si përgjigje ndaj kërkesës së çdo shqiptari në Maqedoni – për një partneritet të barabartë në qeveri mes shqiptarëve dhe maqedonasve, jo një marrëdhënie nënshtruese ku pala shqiptare është vetëm për t’i shërbyer shumicës.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Taravari shprehu bindjen se AKI do të dalë fituese në të gjitha komunat shqiptare, “nga Likova në Strugë”, duke e mposhtur thellësisht VLEN-in.

Por mesazhi më i fortë ishte për zgjedhjet e parakohshme parlamentare:

“Kot e ka kryeministri kur thotë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Për këtë nuk vendos ai, vendos populli. Dhe populli do të flasë shumë shpejt.”

Taravari tha se pas fitores në zgjedhjet lokale, AKI nuk do të hyjë në Qeveri, por do të kërkojë që kryeministri të organizojë zgjedhje të parakohshme, duke reflektuar realitetin politik dhe vullnetin e qytetarëve.

Ai nënvizoi se, sipas informatave të tij, brenda VLEN-it ka tensione dhe pasiguri të mëdha:

“Kam informata të brendshme – VLEN është totalisht i shpartalluar. Kanë porositur Mickoskin të thotë publikisht se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse i tremben vullnetit të popullit”.

Taravari përfundoi fjalimin me thirrje për mobilizim të plotë më 19 tetor, duke paralajmëruar një fitore të thellë të AKI-së në të gjitha komunat shqiptare të vendit.