Taravari: Ja përse nuk i dorëzoj vulat e partisë!

Pas përçarjeve në ASH, kryetari i saj, Arben Tarvari, thotë se shumica e partisë është në anën e tij, por se do të respektoj vendimin e gjykatës për atë se kujt i takon partia. Në një intervistë për gazetën LAJM, Taravari tha se nuk i interesojnë vulat apo zyrat e partisë, por ato i mban për shkak se një gjë të tillë e kërkojnë shumica e anëtarëve të ASH-së, “që janë në anën e tij”.

“Vulat, veturat edhe selitë nuk e bëjnë partinë, njerëzit e bëjnë partinë, kauza, ideali. Të gjitha argumentet, por edhe numrat e kuvendarëve dhe anëtarësisë janë në anën tonë, pavarësisht asaj unë do ta vlerësoj vendimin e gjykatës. Partitë dhe çdo organizim politik por edhe shoqëror është i njerëzve, nuk është pronë e asnjë njeriu apo individi. Duhet t’i heqim këto se partia është e atij apo këtij, partia është e votuesit e përkrahësit. Unë shpesh me miq dhe shokë kam thënë që t’i japim këto vula se kjo temë u stërzgjat shumë dhe s’e di a ja vlen të merremi me njëri-tjetrin. Tani mendojmë ndryshe , i kemi ndarë rrugët, por bashkëpunëtorët nuk më lënë. Nëse do të kishte një kuvendar më shumë dhe aty nuk do të kishte diskutim, unë do të ja kisha dhënë me vula, me veturë, me seli, me krejt. Kur i ke edhe shumicën në kryesi, në kuvend edhe në delegatët të kongresit, nuk të lënë anëtarësia, nuk të lënë ato të cilët janë pjesë e atyre organizimeve që ta dorëzosh ashtu, sepse nuk është pronë e askujt partia. Si të vendos gjykata. Kemi plotë parti në Maqedoni, që kanë edhe vula, zyra, vetura por nuk kanë votues, nuk kanë përkrahës. Neve na duhen votuesit, përkrahësit, na duhet ta ecim idenë tonë, t’i ecim kauzat tona, kjo tjetra më besoni aspak nuk është me rëndësi”, u shpreh Taravari në një intervistë për gazetën LAJM.