Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se gjatë javës së ardhshme pritet të ulet me partnerët e koalicionit qeverisës për të caktuar personat që do të ushtrojnë detyrën e kryetarit të komunës në katër komuna – Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë.
Ky paralajmërim ka nxitur reagime nga opozita. Njëri nga liderët e AKI-t, Arben Taravari, e ka cilësuar këtë ide si “pushtet kokëfortë” dhe si përpjekje për të nënshtruar vullnetin e qytetarëve.
Në reagimin e tij në Facebook, Taravari shkroi:
“Njihet rëndom në histori se si pushtete kokëfortë kanë kërkuar të nënshtrojnë vullnetin e popullit. Kështu po ndodh edhe me kryetarët ushtrues detyre që duan të sjellin në Gostivar e Vrapçisht.
Sado paradoksale, njihet po prapë në histori se lëvizje të tilla e bëjnë edhe më të fortë vullnetin e sovranit! Fitues e kryetarë të popullit të Gostivarit dhe Vrapçishtit janë Valbon Limani dhe Isen Shabani! Këto manovra të shtetit ndaj tyre po i bëjnë këta djem fitues historikë!”, ka shkruar Taravari. /SHENJA/




