Kjo është rruga e cila të çon për në fshatin Tanushë të Komunës së Çuçer Sandevës.
E shkatërruar dhe me gropa. Mungesa e asfaltimit bën që të reshurat e shiut të krijojnë gropa të mëdha. Banorët ankohen se kjo po ua vështirëson jetën, madje thonë se shkaku i rrugës edhe fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë.
“Në fshatin Tanushë rrugët brenda fshatit janë të shkatërruara. Por jo vetëm kaq edhe rruga që e lidh me qytetin e Shkupit këtë vend është përplot me gropa”, Fazile Halili, gazetare TV21.
Sa e keni të vështirë të kaloni çdo ditë në këtë rrugë?
-Gjithmonë e vështirë sepse nuk është riparuar asnjëherë. Këtu koha e bën të veten, bie shi e shkatërron, ne e mbulojmë me rëre.
A keni kërkuar nga komuna që të merr masa ta ndërton?
-Komuna e ka parë dhe e ka ditur, ne çdoherë kemi kërkuar dhe e kotë, asnjëherë nuk ka intervenuar komuna as në rrugë as në ujësjellës , vetëm si komunë e njohim dhe asgjë tjetër.
Sa e kanë të vështirë fëmijët të kalojnë në këtë rrugë për të shkuar në shkollë?
-Fëmijët vijnë me neve arsimtarët, me shërbëtorët. E kemi një lagje edhe më larg, shërbëtori ndonjëherë i sjell edhe me kalë.
-Kjo gjendje prej kur jam gjallë unë, më parë nuk ka pasur hiq por tani prej se e kanë gropuar më buldozerë. Nuk intervenon askush në këtë rrugë. Kemi dikush ndonjë veturë por i kemi prishur të gjithë, duke ardhur në vendlindje të jetojmë, por s’ka asgjë.
-Vështirë mjaft, vijnë veturat prishen, rruga e keqe askush nuk na ndihmon.
A keni kërkuar ndihme nga komuna?
Kush të ndihmojë a e pe rrugën si është. Uji ndalet, rryma ndalet.
Ashtu si kryetarët paraprak të Komunës së Cucer Sandevës, edhe i tanishmi Sashko Komnenoviq premtoi se rruga për në Tanushë do të rregullohet, ndërsa për rrugët brenda në fshat tha se komuna nuk ka mjete për t’i rregulluar.
“Prej të premtes e tutje do të jemi prej fshatit Pobozhje në drejtim të fshatit Tanushë ku do të mbarojë rinovimi i rrugës, ndërsa prej në Tanushë në drejtim të Shkupit 4600 metra do të bëhet komplet asfaltim i ri. Kjo do të bëhet për 15 ditë prej sot”, deklaroi Sashko Komnenoviq, kryetar i komunës së Çucer Sandevës.
Tanusha është fshat i cili gjendet në kufi me Kosovën dhe gjendet rreth 50 kilometra larg nga qyteti i Shkupit. Pikërisht në këtë fshat para 21 viteve kishte nisur konflikti luftarak i 2001-shës.
Aty të jetojnë afër 60 banorë shqiptarë. Shumica prej tyre thonë se funksionarët i vizitojnë vetëm gjatë fushatave zgjedhore.






