Talibanëve iu ndalohet bartja e armëve kur shkojnë në këto vende

Luftëtarëve talibanë nuk do t’u lejohet më bartja e armëve në parqet e zbavitjes në Afganistan, tha të mërkurën zëdhënësi i këtij grupi, në atë që duket përpjekje e re e pushtetarëve të rinj për ta zbutur imazhin e tyre.

Talibanët, shumë prej të cilëve shumicën e jetës e kanë kaluar në kryengritjen 20-vjeçare kundër qeverisë së përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, u turrën në parqe të lodrave në qytetet afgane, kur e morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar.

“Muxhahedinëve të Emiratit Islamik (kështu i referohen Afganistanit) nuk u lejohet hyrja në parqet e zbavitjes me armë, uniforma dhe automjete ushtarake. Janë të obliguar që t’i zbatojnë të gjitha rregullat dhe rregulloret e parqeve të zbavitjes”, tha zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid.

Talibanët janë bërë të njohur si zbatues të ashpër të rregullave të tyre, por që nga ardhja në pushtet verën e vitit të kaluar, ata janë përpjekur që të paraqesin një pamje më moderne për veten para banorëve të Afganistanit dhe para botës në kohën kur kabineti i përkohshëm po përballet me paraqitjen e krizës humanitare.

Një ndër parqet e lodrave që ua kishtë tërhequr vëmendjen më së shumti talibanëve ishte një park në perëndim të Kabulit. Luftëtarët e armatosur ishin parë duke pritur në radhë për të hipur në lodra.