Talibanët kundërshtojnë zgjatjen e pranisë së trupave të huaja

Talibanët thanë se do të ketë “pasoja” nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e zgjasin praninë në Afganistan përtej 31 gushtit.

Grupi militant ka marrë kontrollin e Kabulit më 15 gusht, dy javë përpara se trupat ndërkombëtare të përfundojnë tërheqjen nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore thanë se evakuimi kaotik i mijëra njerëzve që duan të largohen nga Afganistani, mund të kërkojë mbajtjen e trupave në terren edhe pas 31 gushtit.

Së paku 20 njerëz kanë humbur jetën në Aeroportin e Kabulit – shumica nga të shtënat dhe rrëmuja.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ekipi i tij i sigurisë kombëtare po diskuton mundësinë e zgjatjes së afatit të 31 gushtit.

Por, zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, paralajmëroi në Sky News se një veprim i tillë do të krijonte “mosbesim” dhe “do të provokonte reagime”.

“Është një vijë e kuqe. Presidenti Biden ka njoftuar se më 31 gusht, SHBA-ja do t’i tërheqë të gjitha forcat e saj ushtarake. Por, nëse e zgjasin afatin, kjo do të thotë se ata po zgjerojnë okupimin”, tha Shaheen.

“Nëse SHBA-ja ose Britania e Madhe do të kërkojnë kohë shtesë për të vazhduar evakuimet – përgjigjja është jo; në të kundërtën do të ketë pasoja”, shtoi ai.