Takohet për herë të parë familja e Ibrahim Rugovës me atë të Adem Demaçit (VIDEO)

 

“ Ne do të bëjmë luftë politike por mos të shpresoj dikush që do të bëjmë luftë personale“, janë fjalët që i patë thënë Adem Demaçi derisa po qëndronte krah Ibrahim Rugovës në një mbledhje publike.

Në fakt, ata nuk ishin as armiq të rreptë, por as miq të afërt jo. Ky raport mes Adem Demaçit e Ibrahim Rugovës u krijua si pasojë e asaj se si duhej të silleshin shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Ani se qëllimin e kishin të njëjtë, e që ishte pavarësia, i pari ishte më i rreptë në qëndrimet e tij, e i dyti më i butë. Për shkak të kësaj, polemikat mbi marrëdhëniet mes tyre s’vdiqën as në kohën kur njëri e as tjetri nuk jetojnë më.

Mbase për to u fol sadopak edhe të enjten, kur për herë të parë në histori, pasardhësit e dy veprimtarëve u takuan, edhe atë me krejt anëtarët e familjes.

‘Rugovët’ i pritën në konak ‘Demaçët’, siç u tha për të përçuar një mesazh tek brezat e rinj dhe për t’u treguar se nuk ka pasur dhe s’ka asnjë armiqësi.

Ideja për këtë vizitë lindi gjatë një takimit mes djalit të Demaçit e Adnan Merovcit, që është mik i të dyja familjeve.

Muhabeti i së enjtes te familja Rugova nisi me librat që u erdhën dhuratë nga Shqiptar Demaçi e u fol mjaftueshëm edhe për të kaluarën.

Nikoqirët u kujdesën që mysafirët e ‘nderit’ t’i presin si është më së miri, teksa u tha se pas këtij takimit, Demaqët u bënë ftesë Rugovëve për një vizitë kthyese.