Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, ka dhënë detaje të tjera për takimin bilateral që e pati sot në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ai tha se aty u diskutua edhe për çështjen e personave të zhdukur me dhunë.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Bislimi ka pohuar që Serbia është pala e cila e ngadalëson procesin e çështjes së personave të zhdukur me dhunë
“Tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes. Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final”, thuhet në njoftim.
Sa i përket urës mbi lumin Ibër, në komunikatë thuet se edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës.
“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”.
Takimi me Lajçak u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, “për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë”.
“Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”.
Në takimin me Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve. Zëvendëskryeministri shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen. /Klankosova.tv