Takimi ndërparlamentar BE–Maqedoni e Veriut: Vendi meriton hapjen e negociatave

Sot në Strasburg vazhdoi në ditën e dytë Takimi i 24-t i Komitetit të Përzier Parlamentar BE–Maqedoni e Veriut, ku deputetë të kuvendit dhe eurodeputetë diskutuan për procesin e anëtarësimit, fqinjësinë e mirë, stabilitetin rajonal, mjedisin, energjinë dhe digjitalizimin, duke theksuar po ashtu se vendi meriton të hapjen e negociatave, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të dyja palët kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe mbështetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Deputetët nga Maqedonia e Veriut vlerësuan se raporti i fundit i progresit i Komisionit Evropian pasqyron arritje të rëndësishme, por edhe mangësi që institucionet duhet t’i adresojnë. Ata kanë nënvizuar se marrëdhëniet me vendet e rajonit mbeten të mira dhe në trend pozitiv, me vullnet të qartë për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Midis eurodeputetëve që diskutuan këtë temë, dominonte pikëpamja se Republikës së Maqedonisë duhet t’i jepet një shans për të arritur kriteret evropiane duke filluar negociatat e anëtarësimit, dhe ata theksuan se momenti kur BE-ja mund të ketë një histori suksesi, në kushte kur përballet me sfida serioze, nuk duhet humbur.

Në fushën e mjedisit, u theksua progresi sipas Kapitullit 27, përfshirë investimet në menaxhimin e ujërave të ndotura, harmonizimin me standardet e BE-së për cilësinë e ajrit dhe politikat klimatike. Në sektorin e transportit dhe infrastrukturës, u prezantua angazhimi për investime në lidhshmërinë rajonale, digjitalizimin e procedurave dhe kalimin drejt transportit të qëndrueshëm.

Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi, ku u prezantuan strategjitë e reja kombëtare, përfshirë SMART/MK 2030, ligjin e ri për komunikimet elektronike dhe strategjinë e sigurisë kibernetike 2025–2028, që synon krijimin e një mjedisi digjital të sigurt dhe modern.

Takimi i 24-të i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut u përfundua me rekomandime të përbashkëta që u miratuan nga Delegacionet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit Evropian.