Derisa presidenti Hashim Thaçi po pret ta emërojë mandatarin e ri për kryeministër, LVV-ja e LDK-ja pafundësisht po e ofertojnë njëra-tjetrën për bashkëqeverisje. Derisa dy palët ende nuk i kanë shqyrtuar ofertat e shkëmbyera mes vete, bashkësia ndërkombëtare ka rikthyer sërish presionin për bërjen sa më të shpejtë të qeverisë së ardhshme.
Midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës së fundmi janë shkëmbyer shumë propozime për bashkëqeverisje, ato nuk janë marrë në konsideratë.
Që nga takimi i fundit LVV-ja e LDK-ja kanë thënë se e kanë ofertuar njëra-tjetrën, mirëpo asnjëri prej këtyre propozimeve nuk është shqyrtuar deri më tash.
Nga Lëvizja Vetëvendosje theksojnë se janë në pritje të një përgjigjeje për ofertën që ia kanë paraqitur LDK-së në takimin e 9 janarit, përderisa edhe nga LDK-ja pohojnë të njëjtën gjë.
Pozita e kryeparlamentarit vazhdon të jetë pengesë, të cilën dy partnerët potencialë për koalicionin qeverisës nuk po mund ta tejkalojnë.
Nga Ambasada Amerikane gjatë ditës së djeshme edhe një herë tjetër është kërkuar të tejkalohen ndasitë dhe të bëhet edhe më tej përpjekje për formimin e qeverisë.
Edhe pse për arritjen e marrëveshjes së koalicionit nuk po garantojnë nga asnjëra parti, lideri i LVV-së Albin Kurti është optimist se ajo do të arrihet, shkruan sot gazeta Zëri.
Gjatë së hënës, në një letër të dërguar presidentit Hashim Thaçit, Kurti ka theksuar se ndodhen në fazën e finalizimit të marrëveshjes, pavarësisht se e njëjta nuk po pohohet nga kreu i LDK-së.
Ndërkohë, po bëhen gati 15 javë prejse janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme nacionale.
Vetëm katër ditë pas këtij procesi LVV-ja dhe LDK-ja patën nisur takimet për bashkërendim të programeve për bashkëqeverisje.