Takime intensive për koalicionim mes ASH-së, Lëvizjes BESA dhe Alternativës

Pas vitit të ri, do të jetë i qartë koalicionimi i partive shqiptare në opozitë. Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët ZIadin Sela në emisionin 360 gradë, në ALSAT. Sela tha se nëse nuk arrihet marrëveshje për koalicionim me Lëvizjen BESA dhe Alternativën, atëherë mund të dalë e vetme në zgjedhje.

Pafundësisht është e sigurt që këtë ofertë tonën nuk do e çojmë, besoj brenda një jave ne do e mbyllim, për korrektesë edhe ndaj opinionit dhe do të dihet saktë me kë do të bëjë koalicion ASH-ja. Por sido që të jetë, koalicioni më kuptim plotë që një subjekt politik mund të bëjë, është me opozitarin e vërtetë, dhe opozitari i vërtetë është qytetari, votuesi i cili është objekt i vendimeve të cilët i sjell Qeveria- deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

I pyetur se sa mandate mund të marrë opozita aktuale shqiptare në zgjedhjet e 12 prillit, Sela tha se sipas analizave të ASH-së, koalicioni tre palësh garanton minimumi 15 deputetë, nëse shkojnë në koalicion vetëm me një subjekt politik nuk do kenë më pak se 13, por në qoftë se shkojmë vetëm si ASH, atëherë do të dalin fitues në bllokun politik shqiptar me 9 ose 10 deputetë. Sipas tij BDI nuk do i marrë më shumë se shtatë. Lidhur me anketat që po publikohen për çdo ditë, kreu i ASH-së, Ziadin Sela, tha se ata nuk janë për tu besuar, pasi manipulohen nga agjencitë dhe partitë politike të cilat kanë para. Sipas Selës, ASH është shumë afër me BDI-në.

Diferenca mes ASH-së dhe BDI, në momentin që flasim nuk është më tepër se 0,5-0,6 %. Dhe përkthyer ndryshe kjo, një parti që është në pushtet dhe që diferenca nuk e kalon 1% të sigurt e ka humbjen dhe këtë e dinë BDI, këtë e din të gjithë eksponentët e saj dhe do e dinë aq më tepër që në 12 prill do të vijë edhe një numër i madh i diasporës që do të votojë këtu në RMV dhe për pasojë ato e dinë që e kanë të humbur- tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Ideja e koalicionit trepalësh, sipas Selës është që diferenca ndaj BDI-së të bëhet e madhe dhe të ketë një Qeveri stabile në numra. Andaj ka shtuar ai pasi të përfundojnë negociatat me partitë politike, do të ulen të bisedojnë edhe me sektorin joqeveritar./Alsat