Takim Sela-Daniel Braun

Në selinë e Aleancës për Shqiptarët, të enjten, kyetari Ziadin Sela bashkë me sekretarin e Përgjithshëm z. Arben Taravari pritën në takim pune Përfaqësuesin zyrtar të Fondacionit Konrad Adenauer, z. Daniel Braun i shoqëruar nga z. Davor Pasoski

Fillimisht Sela e uroi z. Braun për marrjen e detyrës së re dhe suksese në avancimin e vlerave dhe prioriteteve të Fondacionit në vendin tonë.

Bashkëbisedimi u fokusua në prioritetet politike të Aleancës për Shqiptarët, veçanërisht rreth avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe adresimit të reformave evropiane për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ndër tjera, u theksua mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, për të reformuar gjyqësorin dhe zgjidhur rastet e montuara politike. Në këtë rrafsh përfaqësuesit e Fondacionit Konrad Adenauer u informuan se brenda pak ditëve, Aleanca për Shqiptarët do të nisë letër drejt autoriteteve të BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Holandës për të kërkuar përkrahje të drejtpërdrejtë në fushën e shtetit të së drejtës në formën e ekipeve të prokurorëve dhe gjykatësve evropianë për të adresuar rastet e tilla.

Në takim u diskutua gjithashtu për një sërë prioritetesh tjera të Aleancës për Shqiptarët, veçanërisht decentralizimi, projektligji për shtetësinë dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, ku ndamë analizën tonë në këto çështje dhe zgjidhjet që synojmë t’i sjellim.

Në fund, si parti e qendrës së djathtë, Sela shprehi synimin strategjik për bashkëpunim të rregullt dhe afrim me Fondacionin Konrad Adenauer dhe partitë simotra nga familja e Partisë Popullore Evropiane.