Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) në kuadër të procesit të negociatave me ndërmjetësim, sot prej orës 13:30 do të ketë takim me përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa prej orës 16 pritet takim edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, konfirmoi Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK.
Takimi paraprak i sindikalistëve me MASH-in ishte të premten, kur negociohej për marrëveshjet kolektive në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa me MPPS-në takim kishin të enjten kur të dyja palët biseduan për formimin e grupit të punës për marrëveshje të re kolektive për institucionet parashkollore, sepse afati i kësaj aktuale skadon në qershor.
Për sot me MASH-in pritet të bisedohet edhe për përqindjen për rritjen e pagave.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sot deklaroi se do të bëjnë përpjekje që të arrihet marrëveshje sepse dhjetë ditët e dyta nga afati për zgjidhjen e kontestit me ndërmjetësues përfundojnë nesër ose pasnesër.
“Ne do të bëjmë përpjekje sot që të arrihet marrëveshje sepse për shumë tema të bisedës kemi ardhur afër zgjidhjes së problemit. Gjatë ditës të gjejmë zgjidhje bashkë me ndërmjetësuesin dhe të dyja palët të cilët jemi në negociata që t’i pranojmë rekomandimet të cilat do të vijnë nga ana e ndërmjetësuesit”, tha Shaqiri, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjes për grant me Bankën për Zhvillim pranë Këshillit për Rikonstruimin e 30 sallave të sportit në shkollat fillore dhe të mesme.
Takimet negociuese të Sindikatës me të dyja ministritë mbahen në kuadër të afatit plotësues prej dhjetë ditëve për pajtim, pasi më 8 maj skadoi periudha e dhjetë ditëve të para për zgjidhje paqësore të kontestit me ndërmjetësuesin.
Greva e përgjithshme e cila filloi më 11 prill, ishte pezulluar më 28 prill kur SASHK-u ishte njoftuar nga MPPS për dispozitën ligjore prej më së shumti 20 ditëve për pajtim. Lideri sindikalist Jakim Nedellkov atëherë njoftoi se greva do të aktivizohet sërish nëse nuk i harmonizojnë qëndrimet me Qeverinë gjegjësisht me ministritë dikasteriale.






