Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Muamet Hoxha, sot zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Dr. Florian Qehaja, në të cilin u bisedua për gjendjen aktuale dhe perspektivat e bashkëpunimit bilateral në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Gjatë takimit, ministri Hoxha dhe ambasadori Qehaja vlerësuan marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e dokumenteve ekzistuese dhe iniciativave të përbashkëta, përfshirë Memorandumin e Mirëkuptimit të vitit 2012 për bashkëpunim në fushën e mjedisit, Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik, si dhe iniciativën rajonale “Vizioni i përbashkët për Malin e Sharrit”, e cila synon mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura ndërkufitare.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të Programit IPA për bashkëpunim ndërkufitar, si dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe ekonomike që kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u shpreh interes i përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme, duke përfshirë edhe rishikimin e Memorandumit ekzistues ndërmjet dy shteteve.
Hoxha dhe Qehaja riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore.






