Tagri i rrezikshëm i kohës

Shkruan: Blerim Shala

Pas zhvillimeve dramatike politike në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë së javës së kaluar, duket se po krijohen rrethanat kur më në fund do të kuptohet se cili është qëllimi i njëmendtë i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në dialogun e Brukselit, i cili do të duhej të përmbyllej me Marrëveshjen themelore  (siç po thuhet kohëve të fundit), për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Që prej se ka ri-nisur dialogu i Brukselit, në pranverën e vitit të kaluar, Presidenti Vučić vazhdimisht është përpjekur që të shfrytëzojë çdo pretekst të mundshëm, për të mos biseduar në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për Marrëveshjen politike.

Ai në veçanti ka keqpërdorur atë potencialin real të vartësve të tij në Veriun e Kosovës për të krijuar telashe të sigurisë për strukturat vendore  (Policia e Kosovës) dhe ato ndërkombëtare  (KFOR) dhe për të pamundësuar ecjen para të ndërmarrjes ndërkombëtare të zgjidhjes së raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo zatën u pa në mënyrën më brutale të mundshme në shtatorin e vitit të kaluar, me bllokadën e plotë të qarkullimit në Veriun e Kosovëse cila zgjati një javë.

Këtë vjeshtë Vučić, gjithsesi edhe në reflektim të situatës së ditur në Ukrainë, pas invadimit ushtarak të Rusisë, provoi të tregohet më i kujdesshëm, duke urdhëruar ‘Listën Serbe’ dhe strukturat e tij paralele në Veriun e Kosovës, që të mos reagojnë me atë urgjencën e njohur me vënien e barikadave në rrugë. Zatën, KFOR-i  (Pakti NATO), bëri me dije, me kohë, që më nuk do të tolerojë bllokimin e lirisë së qarkullimit kudo në Kosovë, duke iu kthyer kështu vendimit të vet të muajit mars të vitit 2004.

Sidoqoftë, prolongimi i çështjes së zëvëndësimit të targave ilegale  (KM), në Veri me ato legale  (RKS), që ndodhi pas ndërmjetësimit evro-amerikan të ditëve të kaluara, objektivisht, ka reduktuar në masë të madhe rrezikun e destabilizimit të situatës në Veri, apo, e ka kthyer atë gjendjen e njohur qëmoti kur kërcënimet e sigurisë zëvëndësohen me përplasjet politike. Megjithatë, nëse nuk do të ketë kthim të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në institucionet e Kosovës, gjë që do të merret vesh së shpejti, atëherë, Rendi dhe ligji në Veriun e Kosovës do të mbeten sfidë për Autoritetet e Kosovës dhe për Misionin e KFOR-it.

Vučić, pa dyshim, do të përpiqet të gjejë arsye të tjera për t’iu shmangur bisedimeve të Brukselit për arritjen e Marrëveshjes themelore.

Ai, që nga viti i kaluar e deri më tash, nuk ka treguar asnjëherë të vetme vullnet që njëmend të merret me përmbajtjen e kësaj Marrëveshjeje, e cila zatën është edhe në mandatin e Miroslav Lajčakut, Emisarit Special të BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për Ballkanin Perëndimor.

E gjithë qasja e tij ka qenë shtyrja dhe zvarritja e këtij dialogu, me synimin maksimal të tij që kërkojë justifikimet nga më të ndryshmet për refuzimin real për ta trajtuar atë kryetemën e këtij dialogu të filluar në vitin 2011.

Sprovat e sigurisë, ciladoqofshin ato, rëndom janë shtytës në bisedimet në mes të palëve/shteteve, e jo bllokues të tyre. Vetëm Marrëveshjet e mirëfillta politike, të cilat i dhënë fund kontesteve të mëdha historike dhe politike, çfarë është edhe ky në mes të Kosovës dhe Serbisë, janë garantues të paqes dhe të sigurisë në marrëdhëniet në mes të dy shteteve/ popujve, të cilët disa herë kanë luftuar në të kaluarën.

Është thënë dhe shkruar shpesh në të kaluarën që është e qartë se si do të duhej të përfundonte dialogu i Brukselit. Tek e mbrama, në rastin e këtyre bisedimeve, tash e sa vjet ka një pajtueshmëri të kësisojt  (për epilogun e tyre), në mes të Prishtinës, Washingtonit, Brukselit, Berlinit dhe Parisit. Deri tash, kundër këtij epilogu ka qenë fuqimisht Vučić dhe pushteti në Beograd.

Por, tagri i kohës, apo i momentumit të bërjes së kësaj Marrëveshjeje, do të mund vetëm të rritet në muajtë e ardhshëm. Sa më parë që do të arrihet kjo Marrëveshje, do të jetë më mirë për të gjithë  (realisht). Teksa urgjenca politike për nënshkrimin e saj, pos tjerash, kërkon edhe ndryshimin e qasjes në fuqi të Bashkimit Evropian për zgjerimin e vet me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me qasjen aktuale të BE-së, nuk mund të pritet një Marrëveshje e shpejtë të Kosovës dhe Serbisë.