Tabanoc, hiq shqiptarë e vendos maqedonas, pse vazhdojnë rokadat në Ministrinë e Brendshme?

Pak përpara formfimit të qeverisë teknike, një rokadë tjetër është bërë në pikën kufitare Tabanoc.

Burime të TV21 nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë se edhe në këtë rast, si në pikëkalimin Bllacë, bëhet fjalë për lëvizje në baza partiake.

Më konkretisht një prej shefave të ndërrimit në Tabanoc, shqiptar i afërt me BDI-në, me iniciale S.S. është transferuar në pikën kufitare Bellanoc, ndërsa në vendin e tij në Tabanoc është vendosur zyrtarja me iniciale S.M., e që sipas burimeve është e afërt me vetë Ministrin Oliver Spasovski.

Kjo fotografi me ministrin e Arsimit Arbër Ademi dëshmon afërsinë e S.S. me zyrtarë të BDI-së, e të cilin e kanë lëvizur nga pozita e tij në Tabanoc.

Nëse deri më tani baraspesha e shefave të ndërrimit ka qenë 4 shqiptarë dhe 4 maqedonas, me këtë lëvizje tani proporcioni ka ndryshuar, janë bërë 5 maqedonas dhe 3 shqiptarë shefa të ndërrimit.

Televizioni 21 me pyetje me shkrim iu drejtua si ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski, edhe zëvendësit të tij Agim Nuhiut se pse po bëhen këto ndryshime, por as njëri e as tjetri se pa të arsyeshme të përgjigjet për rokadën.

Në fakt ky është rasti i dytë në pikëkalimin kufitar Tabanoc. Javë më parë TV21 pati raportuar për një ndryshim tjetër në baza partiake të dy zyrtarëve policorë në këtë pikë kufitare, ku një e punësuar shqiptare me iniciale M.M., u zëvednësua me D.P.

Disa javë më parë po ashtu TV21 pati raportuar edhe për një rast në njëjtë në pikën kufitare Bllacë, por para disa ditësh u mësua se personi i transferuar është kthyer në pozitën e tij të mëparshme si shef i ndërrimit, e sipas burimeve, për këtë gjë është kujdesur vetë zëvednësministri i brendshëm Agim Nuhiu. Kjo fotografi dëshmon edhe se të njëjtit i është dhënë edhe vendim pune./TV21