Ta mbash gjithmonë rrëfimin e babait të gjallë, e bënë vetëm libri

Shkruan: Shkëlzen Limani

Preshevari Fitim Nuhiu i dhuron publikut librin “Rrëfimet e babait”. Një libër që përmbledh sfidat, emocionet, përvojat, historitë, reflektimet, ndjesitë e botëkuptimet e një të riu që mbetet jetim qysh në vegjëli, rritjen dhe kujtimet fëmijërore të tij, dëshirën për shkollim e realizimin e ambicies për mësimdhënës.
Ahmet Nuhiu si personazhi kryesor i librit (babai) ka punuar afër 44 vite si mësimdhënës i lëndës së gjeografisë për gjenerata të tëra të Preshevës.
Kështu që gjatë pasdites së 25 korrikut në ambientet e bibliotekës së qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, para ish kolegëve, miqve, familjarëve, dashamirëve të librit e vlerësuesve të kësaj forme të shprehjes publike u promovua libri për babain nga autor Fitim Nuhiu. Me qasje pragmatike e narracion mjaft nxitës për lexuesin gjatë kësaj ngjarje u trajtuan përmbajtje të caktuara të librit, u treguan histori nga ish-nxënës dhe tregime që lidhen me trashëgiminë shpirtërore jo materjale e familjare.
Pati një bashkëbisedim mes autorit dhe publikut. Gjithashtu edhe redaktori i librit, gazetari dhe publicisti Skënder Latifi, shpalosi përmbajtjen e librit sesa publiku jonë ka nevojë për narrativa të tilla të të shkruarit.
Libri u shpërnda falas për publikun e pranishëm.