Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit paraqet eskalim të madh dhe se është në kundërshtim me thirrjet e BE-së që situata në veri të Kosovës të shtensionohet.
Ai në një intervistë për Kosovo-online, ka theksuar se pasojat e sulmit, që Kosova e cilëson agresion, janë ndjerë mbarë vendit, por edhe në rajon.
“Po ashtu shohim se ky sulm e ka rritur ndjeshëm brengën e bashkësisë ndërkombëtare rreth situatës në veri të Kosovës. Tani shtensionimi i shpejtë dhe stabiliteti i situatës së sigurisë është më urgjent se çdo herë”, ka thënë Szunyog.
“Në një pamje më të gjerë, rruga përpara nuk ka ndryshuar, por që është bërë me e domosdoshme”, ka shtuar ai, duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të punojnë për normalizim përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Kjo është platformë, ku sipas tij, të dy vendet mund t’i adresojnë çështjet e ndryshme.
Sa për masat e mundshme ndaj Serbisë, ambasadori ka thënë se duhet parë faktet para se të merret vendim për to nga 27 vendet anëtare.




