Sveçla: Secili që ka qenë pjesë e sulmeve ndaj KFOR-it do të sillet para drejtësisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se të gjithë ata që kanë kryer sulme brutale ndaj KFOR-it do të vihen para drejtësisë.

Ai ka reaguar pasi Policia e Kosovës e ka arrestuar Nenad Orlovic, i cili dyshet për sulm ndaj paqeruajtësve në ditën e 29 majit në Zveçan.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Nenad Orlovic, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë. Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar”, ka thënë ai.

Ministri i Brendshëm ka thënë se do të vazhdojnë luftën ndaj të gjitha bandave që kanë për synim destabilizimin e vendit.

“Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë. Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se bandat kriminale në veri, ndër vite kanë ushtruar terror mbi qytetarët, përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale.

Sveçla ka kujtuar kohën e dëbimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre si dhe maltretimet e terrorizimet që u janë bërë.

“Qytetarët tanë, veçanërisht ata shqiptarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ata që kanë qëndruar janë rrahur, maltretuar e terrorizuar në vazhdimësi nga këto grupe kriminale. Shumë prej tyre janë larguar nga aty pikërisht për shkak të këtij terrori të ushtruar sistematikisht nga struktura kriminale me urdhër nga Beogradi. Akte të njëjta kanë ndodhur edhe ndaj qytetarëve të etnisë serbe të cilët kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me institucionet tona”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai e ka quajtur të papranueshëm sulmin që 15 deri në 20 persona e kanë bërë mbi dy të rin shqiptarë të enjten.

Ai ka thënë se institucionet janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë.