Surrogat sekular

Shkruan: Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Fotot që tregonin priftin duke kryer një ceremoni fetare me shenjtërimin e automjeteve zyrtare në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me praninë e oficerëve të policisë shkaktuan reagime të shumta në opinionin publik: disa e justifikuan këtë akt, duke theksuar se në traditën ortodokse ekziston një lutje për shenjtërimin e automjeteve dhe se është një gjest simbolik që synon mbrojtjen dhe sigurinë ndërkaq, pjesa tjetër, reagoi ashpër, duke vlerësuar se kjo praktikë është në kundërshtim me parimin kushtetues të sekularizmit dhe se institucionet shtetërore duhet të jenë neutrale nga ana fetare.

Për dallim nga një numër i vogël i shteteve në botë që me kushtetutë përkufizohen si shtete (republika) sekulare (laike), si për shembull: Franca, Serbia, Rusia, Kosova, Turqia, India, etj., Maqedonia bën pjesë në grupin mbizotërues në botë të shteteve që në kushtetutë fare nuk e përmendin termin shtet (republikë) sekular, dhe nuk proklamohen si shtete sekulare, dhe një qasje e tillë është e kuptueshme, sepse ky term nuk ka një përmbajtje të caktuar në aspektin juridik, historik, sociologjik, politik, filozofik, etj., dhe çdo shtet i përshtat zgjidhjet ekzistuese sipas nevojave dhe sfidave të tij ku në botë ka një diversitet të rregullimit juridik të raportit shtet-fe me çrast ndarja strikte mes tyre po shkrihet gradualisht madje edhe në Francë që përfaqëson djepin e sekularizmit (që si model ka shërbyer edhe për shtetet ish-komuniste), ku mbledhjet e rregullta që mbahen të paktën një herë në vit nga Qeveria Franceze me ipeshkvijtë kryesorë, ku diskutohen çështje aktuale shoqërore dhe shkëmbehen mendime mbi hapat e ardhshëm, sekularizmin në Francë e bëjnë më tepër një mit se sa një realitet.

Ose, edhe shembulli me shtetin kryesor sekular në botë, SHBA, ku edhe pse me kushtetutë ndalohet themelimi i një feje shtetërore duke ndarë shtetin nga feja, megjithatë ka një kontakt të ngushtë midis fesë dhe sferës publike (shtetit), i cili nuk është simbolik: motoja kombëtare amerikane: “In God we trust” – “Tek Zoti besojmë”, është shkruar në kartëmonedhën e dollarit që nga viti 1865, dhe në hyrje të dhomës së kongresit ku ndodhet Senati; himni kombëtar amerikan përfundon me këtë moto kombëtare, dhe zyrtarët shtetërorë, duke filluar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, e përfundojnë betimin e tyre të detyrueshëm para se të marrin detyrën me të pashmangshmen: “So help me God” – “Pra, më ndihmoftë Zoti”. Të dyja dhomat e Kongresit, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, kanë priftërinj të paguar që e fillojnë procesin legjislativ me lutje çdo ditë që Kongresi është në seancë. Po kështu, para çdo seance të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, një zyrtar i posaçëm thërret mëshirën e Zotit; ose shembujt e Presidentit Trump që zbatoi disa masa kyçe që sfiduan qeverisjen sekulare: më 7 shkurt 2025 themeloi Zyrën e besimit në Shtëpinë e Bardhë, për të siguruar që udhëheqësit fetarë të kenë një zë të drejtpërdrejtë në politikën federale; më 1 maj 2025 themeloi komisionin e lirisë fetare, për të hetuar kërcënimet ndaj shprehjes fetare dhe për të rekomanduar politika për ta mbrojtur atë nga ndërhyrja sekulare; themeloi task forcën kundër paragjykimeve anti-krishtera që udhëhiqet nga Prokurori i Përgjithshëm; duke hedhur poshtë publikisht “ndarjen e fesë nga shteti” me inkurajimin e udhëheqësve fetarë që të kandidojnë për poste për të vënë “të vërtetën biblike” në praktikën politike dhe shtetërore, etj.

Mirëpo, a është Maqedonia shtet sekular apo surrogat sekular dhe a është neutral nga ana fetare apo bëhet fjalë për ideologji politike (shtetërore) antifetare?
Esenca e çështjes së raportit shtet-fe në Maqedoni nuk është tek spërkatjet ose shenjtërimet por aty ku përfaqësohen qytetarët pra, në Kuvendin e Maqedonisë si organi më i lartë shtetëror dhe organ përfaqësues i të gjithë qytetarëve, bartës i pushtetit më të lartë, atij kushtetutëvënës dhe ligjvënës.

Në Sallën Plenare të Kuvendit mes tjerash gjendet edhe një mozaik mural: “Rrathët e Qytetërimit” i bërë në v. 1999, që përshkruan figurat e vëllezërve Kirili dhe Metodi, dhe në pjesën e sipërme janë shkruar vargjet e para të Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit, të përkthyera nga glagolitika në cirilike: “Искони бја слово” – “Në fillim ishte fjala”.

Në hyrjen kryesore të Kuvendit gjithashtu gjenden edhe afresket: “Kungimi i Apostujve”, “Tradhtia e Judës” dhe “Ngjitja në Kryq” të bëra (për çudi!) në kohën e Maqedonisë socialiste në v. 1974 dhe 1982.

Nuk ka shembull më ilustrues dhe më praktik diskriminues për atë se, cila fe është shtetërore ose cili libër i shenjtë është zyrtar dhe dominues në shtetin e Maqedonisë dhe a është shteti neutral nga ana fetare kur Kuvendi si organ më i lartë shtetëror identifikohet vetëm me një besim fetar dhe shënohet me simbolikën e vetëm të një besimi fetar.

Prandaj, në mënyrë që Kuvendi t’i përfaqësojë njësoj të gjithë qytetarët duke respektuar realitetin shumëfetar, mozaikut mural: “Rrathët e Qytetërimit” në Sallën Plenare të Kuvendit duhet t’i shtohen edhe vargjet e para të Kur’anit Famëlartë: “Lexo! Me emrin e Zotit tënd që krijoi” si dhe në hyrjen kryesore të Kuvendit të bëhen tre afreske të reja të xhamive më të vjetra në Maqedoni: Xhamia e Sultan Muratit dhe Xhamia e Mustafa Pashës-Shkup dhe Xhamia e Larme-Tetovë, meqë kështu raporti shtet-fe do të jetë i plotë dhe i ekuilibruar kur gjithçka do të jetë aty sepse në të kundërtën “sekularizmi” në Maqedoni do të vazhdojë të përjetohet si një ideologji politike (surrogate) e dominimit të një besimi fetar kundrejt besimit tjetër fetar me ndihmën e shtetit.

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)