Hashim Thaçi është në SHBA. Fillimisht dikush tha se ai do shkonte në Bruksel e më pas në Uashington, por kjo ishte rrena e radhës e manipulimit të informacionit nga esbalitishmenti i tij. Infot e fundit dëshmojnë se ai ka udhëtuar përmes një aeroporti të ndërmjetëm në Zvicër, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Europian. Pra, udhëtimi i tij nuk ka të bëjë me ndonjë mision zyrtar të presidentit të Kosovës. Nëse udhëtimi i Thaçit do të ishte për arsye zyrtare, atëherë zyra e tij do ta kishte pompuar me daulle këtë lajm.
Në këto kushte lindin disa dilema, si p.sh. se cila është arsyeja e udhëtimit të Hashim Thaçit në SHBA? A kishte rekomanduar prokurori i gjykatës speciale kufizimin e lëvizjes së tij? Ndërkaq udhëtimi i tij është shoqëruar me vizë amerikane. Po si mund të ndodhë që ambasada amerikane në Prishtinë, ndonëse para dy vitesh i refuzoi vizën ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i jep vizë sot Hashim Thaçit?! Ndalimi i Haradinajt u bë për shkak të vendimit të tij për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe kjo nuk ishte krim. Ndërsa Thaçi lejohet ë udhëtojë në SHBA, edhe pse për të ka një akuzë publike për krime e vrasje nga prokurori amerikan i Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë.
Dilemat e pikëpyetjet nuk ndalojnë këtu… Duhen sqarime se kush e ftoi dhe kush e mundësoi këtë udhëtim të presidentit të përkohshëm të Kosovës në SHBA?! Kë do të takojë dhe cili do të jetë objekti i bisedës?! Ashtu siç është ky udhëtim konspirativ, po ashtu lindin sa e sa pyetje dhe pikëpyetje konspirative. Dhe kur është fjala për një politikan të pabesueshëm, si Hashim Thaçi, atëherë kjo krijon gjithashtu shqetësim të jashtëzakonshëm te qytetarët e Kosovës. Ai është akuzuar nga diplomatë e politikanë të Kosovës për takime konspirative me homologun e tij serb, ndërkohë që i ka mohuar këta zëra. Kësisoj nuk dihet se cila do të jetë intriga e radhës e tij gjatë këtij udhëtimi!
Ambasada e Shteteve të Bashkkuara në Prishtinë duhet të japë një shpjegim, pse përdori dy standarde në lëshimin e vizës amerikane në rastin e dy personaliteteve më të larta të politikës së Kosovës, përkatësisht për Ramush Haradinajn dhe tani për Hashim Thaçin! Pse ajo nuk i dha vizë një kryeministri në detyrë, i cili nuk akuzohej për asnjë vepër kriminale, ndërkohë që sot i jep vizë një presidenti në detyrë, por të akuzuar për krime dhe vrasje nga Gjykata Speciale e ngritur me insistimin e Amerikës?!
Opinioni publik ka nevojë për një përgjigje korrekte dhe të saktë, pa doza të manipulimit dhe justifikimit të aktit konsullor dy standardësh. Por ky është njëri nga shqetësimet që ka nevojë për përgjigje. Kryesore është që publiku të informohet pse udhëtoi presidenti i Republikës në SHBA? Përgjigja e kësaj dileme është e domosdoshme, sepse gjithçka mund të ndodhë. Mund të ndodhë që dikush të jetë sponsorizuar për të ndërhyrë në Gjykatën Speciale, me qëllim që akuza për Thaçin të revokohet nga gjykata! Mund të jetë sponsorizuar ndonjë marrëveshje e fshehtë midis presidentit të Kosovës dhe mikpritësit të tij, me qëllim që ai të qëndrojë në detyrë me kushtin e rikthimit në tavolinën e bisedimeve të projektit të Serbisë së Madhe, çka vjen me ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve. Mundet që të eksperimentohet ndonjë skenar tjetër për Kosovën nga lobet serbe në SHBA, me qëllim ndonjë zgjidhje tjetër për konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë! Mundet të ndërmjetësohet me Beogradin që të tërheqë akuzat e prokurorit serb për presidentin e Kosovës, akuza të cilat janë dërguar në Hagë para se zoti Thaçi të angazhohej për ndarjen e Kosovës.
Një deklaratë e kryeministrit Hoti e dy ditëve më parë se “Ne do të shkojmë në bisedime me Serbinë për një marrëveshje finale dhe nëse nuk arrihet ajo, atëherë do të vazhdojmë të jetojmë kështu të ndarë në dy shtete të pavarura, pa e njohur njëra-tjetrën”, ka brenda saj tharmin e një perspektive të pasigurt për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Aq më tepër kur kryeministri i Kosovës këtë deklaratë e bëri në konferencën për shtyp me Komisionerin e Lartë për Zgjerim të Bashkimit Europian.
Udhëtimi i Hashim Thaçit në SHBA ka mundësi të lidhet me qëndrimet e Abdullah Hotit. Sinjale kundërshtuese të kryeministrit ndaj presidentit janë dhënë edhe ditë më parë, kur zoti Hoti foli për vija të kuqe të LDK-së dhe qeverisë së tij ndaj presidentit të vendit, duke ia kujtuar atij përpjekjet për tjetërsimin e territorit të vendit. Kjo mund të ketë aktivizuar lobin serb në SHBA, me qëllim që të bisedohet me Thaçin dhe nëse ai vazhdon të jetë në linjën e përpjekjeve të tij të mëparshme të kompromiseve anti-Kosovë me Serbinë, të bëhet një përpjekje që të çlirohet nga akuza e Gjykatës së Hagës.
Megjithatë duhet besuar se Gjykata Speciale nuk do të tërhiqet tashmë nga akuza, ndryshe do të dobësonte autoritetin e saj tek të gjithë të akuzuarit e sotëm e të nesërm dhe do krijonte precedentin e refuzimit të saj jo për shkak të frikës nga drejtësia, por për shkak të diferencimit dhe pabarazisë së të akuzuarve para kësaj gjykate. Nëse ndodh që Hashim Thaçi lirohet nga akuzat, për të cilat është intervistuar katër ditë radhazi, atëherë duhen liruar 99 përqind e të akuzuarve të tjerë. Ndryshe autoriteti i kësaj gjykate komprometohet! Prandaj duhet besuar gjithashtu që në SHBA do t’i thotë dikush presidentit të Republikës së Kosovës që të japë sa më shpejt dorëheqjen e të shkojë vullnetarisht në qelitë e Hagës, pa shkaktuar probleme të tjera politike e juridike dhe pa dëmtuar edhe më tej imazhin e Kosovës.