Naveed Akram, i dyshuari i mbijetuar i sulmit masiv të së dielës në Bondi Beach në Sidnei, është akuzuar për 59 vepra penale, duke përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për kryerjen e një akti terrorist, ka bërë të ditur policia e Uellsit të Ri Jugor.
Personi tjetër i armatosur, babai i tij Sajid Akram, 50 vjeç, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë në vendngjarje.
Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin, i cili kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë, gjatë një aktiviteti ku festohej nata e parë e festës hebraike Hanukkah, raporton BBC.
Ishte sulmi më vdekjeprurës në vend që nga viti 1996.
Akram përballet gjithashtu me 40 akuza për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje, si dhe një akuzë për shkaktim të shfaqjes publike të një simboli të organizatës terroriste të ndaluar.
Ai u plagos rëndë gjatë incidentit të së dielës dhe pati seancën e tij të parë dëgjimore nga shtrati i spitalit, ka bërë të ditur gjykata lokale e Uellsit të Ri Jugor.
Çështja është shtyrë deri në prill 2026, ka shtuar gjykata.
Njëzet persona të plagosur në sulm vazhdojnë të trajtohen në spitale në të gjithë Sidnein, teksa një prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.




