Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri

Policia e Kosovës sërish është sulmuar në fshatin Zupç të Zubin Potokut.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Kelani ka deklaruar se nga ky sulm nuk ka policë të lënduar.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka thënë Kelani.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

Ndërkaq, javën më parë, policia në veri ishte sulmuar me granatë dore dhe AK 47.

PK e ka konsideruar si akt terrorist, duke thënë se është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policor por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.