Sulmohet fizikisht deputeti Adem Hoxha

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, është sulmuar fizikisht në fshatin Zlipotok.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Me datë 01.2025, rreth orës 18:30, Policia është njoftuar nga QKMF-ja në Dragash se një person është paraqitur me lëndime trupore, të cilat i kishte marrë si pasojë e një përleshjeje të ndodhur në fshatin Zlipotok. Viktima, pas marrjes së ndihmës së parë, është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas raportit të mjekut, ka pësuar lëndime të lehta trupore. Rastit i janë përgjigjur menjëherë patrullat e Stacionit Policor në Dragash si dhe njësiti i hetimeve, në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit rajonalë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se sipas informacioneve të para, viktimat janë : qytetari A.H,mashkull, bashkëshortja e tij dhe vajza e tyre e mitur. Motivi i incidentit mbetet ende i paqartë.

Në koordinim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë.