Sulmi në Sidnei thellon tensionet diplomatike mes Australisë dhe Izraelit

Sulmi vdekjeprurës në një festival hebraik që po mbahej në një plazh të famshëm australian ka thelluar tensionet diplomatike midis kryeministrit australian, Anthony Albanese dhe homologut të tij izraelit, Benjamin Netanyahu për shkak të rritjes së presionit që qeveria e tij të reagonte ndaj antisemitizmit.

Albanese bëri thirrje për unitet të hënën dhe tha se qeveria e tij ishte e përgatitur të ndërmerrte çdo veprim të nevojshëm, pasi Netanyahu tha se Albanese “nuk bëri asgjë” për të frenuar antisemitizmin, i cili është në rritje që nga viti 2023.

Menjëherë pas sulmit, udhëheqësit e komunitetit hebraik gjithashtu shprehën zhgënjim.

“Ka pasur një nivel tronditës të antisemitizmit që ka dalë në pah në këtë vend, ashtu siç ka ndodhur në vendet e tjera”, ka thënë për Reuters Levi Wolff, rabini kryesor në Sinagogën Qendrore të Sidneit, në Bondi Beach ku miku i tij u vra të dielën.

“Kur antisemitizmi nuk kontrollohet nga lart, këto janë gjërat që ndodhin”, ka shtuar ai.

Në një konferencë për shtyp, Albanese lexoi një listë të veprimeve që kishte ndërmarrë qeveria e tij, duke përfshirë kriminalizimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e dhunës dhe ndalimin e përshëndetjes naziste.

Ai u zotua se financimi për sigurinë fizike për grupet e komunitetit hebraik do të zgjatet dhe theksoi nevojën për ligje më të ashpra për armët në Australi, e cila tashmë ka ndër kufizimet më të mëdha të armëve të zjarrit në botë.

Megjithatë, një i dërguar i posaçëm i emëruar nga qeveria vitin e kaluar për të trajtuar një valë sulmesh me grafite dhe zjarrvënie ndaj sinagogave dhe bizneseve hebraike ka thënë se sulmi terrorist i së dielës “nuk erdhi pa paralajmërim” dhe se nevojiteshin më shumë veprime.

“Shkrimi ka qenë në mur”, ka thënë i dërguari, Jillian Segal, në një intervistë radiofonike me Korporatën Australiane të Transmetimeve të hënën.

Të paktën 16 persona kanë mbetur të vrarë në sulmin e armatosur të dielën në Sidnei. Sulmi është kryer nga dy persona të armatosur, të cilët më vonë u konstatua se ishin babë e bir. Njëri prej tyre, babai, ka mbetur i vrarë në vendngjarje nga policia, ndërkaq djali ka pësuar lëndime të rënda.