Sulmi ndodhi pas shpinës së Bekim Nezirit, pretendon avokati i tij

Avokati Elenko Milanov, i cili është përfaqësues ligjor i Bekim Nezirit në rastin lidhur me sulmin në M-NAV, thotë se Neziri, i cili është njëri nga të dyshuarit, nuk ka marrë pjesë në incidentin në Navigacionin Maqedonas, se nuk ka pasur absolutisht asnjë kontribut në këtë rast dhe se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas shpinës së tij. Në deklaratën e tij para Gjykatës Penale, Milanov tha se nuk është e vërtetë se incidenti ka ndodhur në kullën e kontrollit të M-NAV-së dhe as se janë sulmuar kontrollorët të cilët ishin duke kryer detyrat e punës, transmeton Portalb.mk.

“E gjithë fama rreth kësaj ngjarje filloi me një dezinformim që përsëritet vazhdimisht, dhe të gjitha deklaratat dhe komentet e mëparshme si nga publiku profesionist ashtu edhe nga ai joprofesionist bazohen në atë dezinformatë, që është se çfarëdo që ndodhi, ndodhi në kullën e kontrollit. Në këtë ngjarje nuk ka asgjë që ka ndodhur në strukturën e kontrollit, as nuk ka ndonjë gjë që ndodh pranë asaj kulle kontrolli dhe as me një person që në atë moment duhej të kryente detyrat e tij në kullën e kontrollit. Kjo është gjëja e parë dhe më e rëndësishmja që e bëri këtë famë dhe polemikë”, tha sot para Gjykatës Penale avokati i Nezirit.

Këshilli Penal në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot vendos për ankesën e Prokurorisë Themelore Publike – Shkup kundër vendimeve të gjyqtarëve të procedurës së mëparshme nga 5 janari, me të cilat katër personave u janë shqiptuar masa e kujdesit për ngjarjet në M-NAV.

Për sulmin në objektin e M-NAV-së dhe sulmin ndaj punonjësve, Gjykata Penale ka caktuar masë sigurie ndaj Bekim Nezirit, këshilltar i drejtorit të M-NAV-së dhe tre personave të tjerë, ndonëse Prokuroria Publike ka kërkuar masën e paraburgimit, të cilit prokuroria apeloi.

Prokurori Dejan Petreski, në një prononcim për Kanal 5, tha se prokuroria qëndron në qëndrimin që Gjykata të caktojë paraburgim për katër të dyshuarit në këtë rast.

Për katër të dyshuarit tjerë, Petreski tregoi se në mënyrë aktive po merren masa për sigurinë e tyre, por edhe për identifikimin e personave të tjerë dhe sigurinë e tyre gjatë procedurës penale.

Edhe pse Qeveria ka vepruar me kërkesën e Sindikatës për shkarkimin e menaxhmentit të M-NAV-së, kryeministri Dimitar Kovaçevski dje ka kërkuar nga inspektorati i punës që të kontrollojë punën e Sindikatës në M-NAV, duke shprehur dyshime në proceset dhe shpalljet e punës dhe e quajti kompani familjare M-NAV, diçka e theksuar më parë nga partneri i koalicionit BDI.

“Janë disa aspekte që duhen analizuar dhe në një pjesë që duhet ndërhyrë. Së pari, mendoj se ajo kompani është bërë si një biznes familjar, sepse kur shikon ka punonjës deri në brezin e tretë. Kur ta merrni sindikatën – babai i tij ka punuar atje, ai punon atje, vëllai i tij punon atje, në fund janë bërë si një familje në të cilën kanë konflikte që ndodhin zakonisht në shtëpitë e njerëzve dhe mendoj se duhet të hetohen gjithashtu, dhe siç thotë edhe BE-ja, mënyra se si i bëjnë konkurset dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve etj., të mos ndodhë që një kandidat të marrë teste të gatshme, nuk e di, por kjo duhet parë, sepse ka shumë “rastësi” në atë organizatë, që nënkupton se ndoshta ato rastësi nuk janë aq të rastësishme”, vlerëson Kovaçevski.

Një ekip nga policia financiare dje, siç është paralajmëruar, ka hyrë në ndërtesën administrative të M-NAV-së në qendër të Shkupit për të hetuar mbi operacionet financiare të kompanisë, por edhe të Sindikatës, prokurimin publik dhe, siç theksohet në njoftimet dhe procedurat e punësimit.

Nga aty bëjnë me dije se një pjesë e dokumentacionit është grumbulluar, por edhe se presin që t’u dorëzohet pjesa tjetër e dokumenteve dhe më pas do të nisin analizimin e të dhënave.

Katër të arrestuarit janë të detyruar të paraqiten në gjykatë dhe nuk lejohen të dalin jashtë vendit, ndërsa katër të tjerët që morën pjesë në sulm janë duke u kërkuar intensivisht, njofton MPB.

Bordi Mbikëqyrës në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e kryetarit të Bordit Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq, sipas udhëzimeve të marra nga Qeveria, dhe pas sulmit në institucion më 4 të këtij muaji.

Me vendimet e Qeverisë u ndalua greva e paralajmëruar për dje nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, e cila pezulloi vendimin për mbylljen e hapësirës ajrore. Gjykata Themelore Penale Shkup, nga ana tjetër, nga sot duhet të vendosë për ankesën e Prokurorisë Publike lidhur me vendimin për mospranimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit për katër të dyshuarit në lidhje me sulmin në M-NAV.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Por sulmi i 4 janarit u konsiderua më seriozi, i cili ndodhi nga të dyshuarit në krye me Bekim Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë, pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjerë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.