Sulmi ndaj të moshuarës në Kosovë, u tërhiqet licenca tri infermierëve

Keqtrajtimi dhe rrahja nga infermieret e një të moshuare në Shtëpinë e Pleqve në Pejë, tronditi opinionin publik në Kosovë edhe më gjerë.

Infermieria që ushtroi dhunë ndaj të moshuarës dhe dy të tjerat që e ndihmuan u arrestuan. Kurse, Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) të triave u ka tërheq licencat si dhe i ka shlyer nga regjistri i kësaj ode.

“Këshilli Etik së bashku me Kryetarin e Odës së Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë iu ka tërhequr Licencën dhe i ka shlyer nga regjistri i OIK “, thuhet ndër tjerash në njoftimin e OIK .

Në anën tjetër në qendrën e të moshuarve në Pejë “Orenda” ku edhe ndodhi sulmi ndaj të moshuarës edhe sot kanë vazhduar inspektimet pasi inspektorë e zyrtarë nga Policia janë parë duke hyrë në objektin e kësaj qendre.

Ndërsa, e moshuara e cila është edhe viktimë e sulmit sot është ekzaminuar edhe në Spitalin Regjional të Pejës.