Sulmi masiv kibernetik në Mal të Zi, ambasada amerikane alarmon për rastin

Ambasada e SHBA-së më Mal të Zi ka njoftuar se ështe duke ndodhur një sulm i madh kibernetik në këtë vend të vogël.

Në një njoftim në faqen e Ambasadës, thuhet se një sulm i vazhdueshëm kibernetik mund të prek institucione të rëndësishme publike përfshirë transportin, pikat kufitare, aeroportin dhe sektorin e telekomunikimit.

Ndërkaq, Agjencia e Sigurisë së Malit të Zi (ANB) konfirmoi më 26 gusht për Radion Evropa e Lirë se shërbimet ruse ishin përgjegjëse për një sulm të fuqishëm kibernetik që preku të gjithë strukturën shtetërore të informacionit të Qeverisë së Malit të Zi.

Sipas agjencisë, sulmi i së premtes ishte i parapërgatitur prej kohësh dhe se një sulm i të tilla përmasave ishte i paprecedentë në shtetin ballkanik.

“Infrastruktura kritike shtetërore është sulmuar”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Agjencisë së Sigurisë së Malit të Zi.

Sulmi i fundit kibernetik në infrastrukturën qeveritare të Malit të Zi ndodhi herët në mëngjesin e së premtes, dhe agjencitë qeveritare nuk e kanë bërë ende të ditur shkallën e dëmit.